Vendimi i Presidentit Ilir Meta për të shtyrë paktin e Shqipërisë me Greqinë për kufirin detar, ka filluar të shqetësojë fqinjët tanë. Prej dy ditësh një sërë mediesh greke i kanë kushtuar një rëndësi të madhe takimit të mbajtur mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta në pasditen e 13 qershorit, ku në fokus ishte pikërisht marrëveshja. Media si “Tast TV”, “Voria.gr”, “Difer News”, etj., kanë shkruar se kryeministri Edi Rama ka informuar presidentin se marrëveshja është drejt fundit dhe se kërkohet firma e tij. Por sipas tyre, teksa Presidenti Meta pritet të marrë kohë për vendimin e tij, qeveria greke ka si synim që pakti të mbyllet para 28 qershorit, kur do të jetë dhe data që do të vendoset për hapjen e negociatave. Janë të mistershme arsyet se përse Greqia po këmbëngul që pakti të mbyllet para kësaj date, por ka aludime se nëse bie propozimi i tyre, Athina mund të kërcënojë me negociatat. Megjithatë, mediat greke shkruajnë po ashtu se finalizimi i paktit do të bëhet përmes një takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij grek Aleksis Tsipras. Por portalet shprehen se ky takim rrezikon të shtyhet sërish, pasi asgjë nuk mund të ndodhë nëse Meta nuk jep aprovimin. “Presidenti Meta tha se ai nuk mund të marrë një vendim tani, pavarësisht kërkesës së kryeministrit. Kreu i shtetit, duke qenë i kujdesshëm për këtë çështje, kërkoi informacione më të thella nga negociatat”, shkruan “Tast TV”, në faqen e saj në internet. Ndërsa media të tjera përveç pasqyrimit të takimit Rama-Meta dhe hezitimit të kreut të shtetit, i janë referuar dhe njoftimit të kryeministrit se kompania “Shell”, do nisë kërkimet për gaz dhe naftë në vendin tonë. Sipas medieve greke, kërkimet do zhvillohen pikërisht në pjesën ujore për të cilën po negociohet. Duke marrë shkas nga kjo, ato janë shprehur se qeveria greke i ka falur territor Shqipërisë. “Qeveria i ka dhënë të drejtën e kërkimit “Shell” në zonat e Epirit të Veriut, ngjitur me kufirin detar me Greqinë. Ata kanë dhënë leje për të bërë kërkime dhe brenda zonave të shefit kontinental, të cilat po diskutohen me Ministrinë e Jashtme greke”, shkruan “Voria.gr”.
Kufiri detar
Dy ditë më parë, presidenti Ilir Meta deklaroi publikisht se pret të informohet me informacione më të thella për bisedimet mes dy vendeve. Gazeta pyeti pranë ministrisë së drejtuar nga Ditmir Bushati dhe burime zyrtare thanë se që kur nisën bisedimet mes ekspertëve, institucioni i Presidencës është informuar me detaje mbi çdo bisedë. Gazeta ka mësuar se pas çdo takimi, përveç informacioneve që kanë ardhur në MEPJ, ato kanë shkuar dhe në Presidencë, duke qenë se është kreu i shtetit ai që ka plotfuqishmërinë për marrëveshje të këtij niveli. Por burimet thanë se Presidenti ka ngritur pretendime mbi informacionet që i janë vënë deri më tani në dispozicion. Gazeta ka mësuar se Meta ka dyshime se ai nuk është informuar në mënyrë korrekte nga Ministria e Jashtme dhe për këtë arsye ditët e fundit ka kërkuar që në tryezën e tij të vihen të gjitha dokumentet dhe detajet e bisedimeve të ekspertëve, në mënyrë që ai të japë vendimin përfundimtar. Por këto kërkesa të Presidentit kanë rritur dyshimet në radhët e qeverisë se do të përsëritet skenari i muajit mars. Në këtë muaj, Meta ktheu 3 herë mbrapsht ministrin Ditmir Bushati, i cili kërkonte autorizimin për negociatat. Në të tri herët, Ilir Meta pretendonte se nuk ishte informuar si duhet. Por edhe tani pritet të përsëritet e njëjta lojë./ Sot