Mediat dhe ekspertët amerikanë kanë paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të tolerojnë asnjë të korruptuar qofshin këta në Shqipëri dhe anembanë rruzullit tokësor.
Në 19 maj u bë e ditur se ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve të tij nuk do t’u lejohet pajisja me vizë për në Shtetet e Bashkuara, për shkak se ata janë përcaktuar nga DASH si persona që u ndalohet hyrja në vend. Lajmi u konfirmua nga Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili përmes një postimi në “Twitter” tha se ky vendim u mor nga Uashingtoni zyrtar për akte korruptive që cenojnë demokracinë në Shqipëri.
Por duket se fati i ish-kryeministrit Berisha i pret edhe të tjerë politikanë, fakt ky që është pohuar dje nga mediat dhe ekspertët amerikanë. Ka qenë “Radio Europa e Lirë”, e cila i ka kushtuara një artikull çështjes së personave të shpallur të padëshiruar nga amerikanët dhe fenomenit të korrupsionit në tërësi, i cili ka ndikuar edhe tek vendimi i DASH.
Ekspertët paralajmërojnë emra të tjerë “non grata”
Ka qenë Tanya Domi, profesoreshë në Universitetin Columbia dhe eksperte e Ballkanit, e cila gjatë një prononcimi për “Radion Europa e Lirë”, u shpreh se emra të tjerë si zoti Berisha do të shpallen “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Madje, zonja Domi zbuloi edhe faktin se Sekretari Blinken e ka përmendur që korrupsioni është një nga çështjet me rëndësi për politikën e jashtme amerikane dhe se sipas saj, ai e ka bërë të ditur këtë gjë edhe në letrën e parë dërguar zyrtarëve të lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, se ky shtet duhet ta luftojë korrupsionin. “Veprimi ndaj Berishës duhet të shërbejë si paralajmërim nga administrata Biden se do të përdorë mekanizma të ndryshëm, në mënyrë të kujdesshme, dhe unë e shoh gjithë këtë si shenjë se ata do të adresojnë çështjet e korrupsionit në përgjithësi”, deklaroi ajo.
Më tej profesoreshë Domi theksoi se nga përvoja e saj në Ballkan, korrupsioni në këtë rajon është endemik. “Sundimi i ligjit përbën sfidë të vështirë për shumicën e qeverive atje, sepse kanë qenë të përfshira në aktivitete korruptive. Unë nuk jam eksperte për luftën kundër korrupsionit, mirëpo kur bllokoni asetet e dikujt dhe nëse ata gjykohen dhe dënohen me burgim, atëherë kjo përbën rrëfim tjetër. Mirëpo Shtetet e Bashkuara nuk kanë autoritetet të bëjnë diçka të tillë”, u shpreh ajo.
Të prerë se SHBA nuk do tolerojë asnjë të korruptuar
Por në artikullin e saj, “Radio Europa e Lirë” thekson prerë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të tolerojnë asnjë të korruptuar. Dhe për të justifikuar analizën e saj, në artikull pyetet ekspertja Tanya Domi, e cila thotë se të etiketuarit ish-kryeministrin Sali Berisha si politika i korruptuar nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk është rast për t’u habitur, pasi sipas saj, pretendimet për ish-liderin demokrat kanë ekzistuar kohë më parë.
Në këtë kontekst, zonja Domi shtoi se amerikanët nuk tolerojnë asnjë të korruptuara, pasi është një nismë e kahershme e administratës së SHBA. “Një nga pikat bllokuese të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian besohet të jetë çështja e korrupsionit, sundimi i ligjit, gjyqtarët, të cilët nuk mund të çojnë deri në fund ndjekjet penale.
Është një shenjë e hershme se administrata amerikane është serioze për këtë gjë”, nënvizoi ekspertja Domi. Më tej në artikull, “Radio Europa e Lirë” ka cituara edhe memoradiumin që mban firmën e presidentit Joe Biden, përmes së cilit thuhet se SHBA-të nuk do tolerojnë asnjë të korruptuar. “Më 3 qershor, Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një memorandum të presidentit amerikan Joe Biden, përmes së cilit theksohet se lufta kundër korrupsionit do të jetë një nga interesat thelbësorë të sigurisë kombëtare të SHBA-së”, shkruan “Radio Europa e Lirë”.