Pamjet dhe videot e shpërndara në internet tregojnë makina të shtrenjta “Audi”, “Range Rovers” dhe “Porsche 4×4”, të cilat shkaktuan trafik rreth Westminsterit, ndërsa oficerët e Policisë Metropolitane përpiqeshin të mbanin nën kontroll trafikun e krijuar.
Në videot e publikuara nga “Daily Mail” vërehen burra dhe gra që valëvisin flamurin shqiptar, ndërsa varen nga xhamat e makinave të tyre, të cilat gazeta britanike i ka cilësuar si luksoze.
“Një ‘Lamborghini Huracan’ ngjyrë vjollce dhe një ‘Mercedes G Class’, të cilat kushtojnë përkatësisht rreth 120,000 dhe 160,000 £”, përshkruan me detaje “Daily Mail”. Diku tjetër, të rejat vishnin fustane tradicionale dhe kërcenin në rrugë.
Fishekzjarret e forta u lëshuan ndërsa vargu i gjatë i automjeteve u binin vazhdimisht borive për të festuar Pavarësinë e Shqipërisë, e cila përkujtohet çdo vit më 28 nëntor.