Media e njohur ndërkombëtare, “Associated Press”, ka bërë një shkrim rreth situatës politike në Shqipëri, protestave anti-qeveritare dhe si mund të ndikojnë këto të fundit për hapjen e negociatave të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Associated Press ndër të tjera ka paralajmëruar se sipas gjasve protesta e ardhshme e opozitës shqiptare, e cila do të mbahet nesër, mund të jetë e dhunshme, gjë që mund të ndikojë edhe tek negociatat.Partitë opozitare në Shqipëri do të bëjnë të shtunën protestën e rradhës anti-qeveritare dhe me gjasë të dhunshme, duke ndikuar kështu edhe te negociatat e vendit ish-komunist për anëtarësimin në BE.
Shkrimi i plotë i Associated Press:
Rreth 10,000 vetë pritet që të marrin pjesë në protestën e nesërme në Tiranë, e cila do të kërkojë emërimin e një qeverie tranzitore, i ndjekur nga zgjedhjet e parakohshme.
Opozita e Bashkuar e udhëhequr nga kreu i PD Lulzim Basha ka mbajtur protesta të mëdha që nga mesi i muajit shkurt, duke akuzuar qeverinë për lidhje me krimin e organizuar dhe manipulimin e votave.
Qeveria i ka mohuar të gjitha këto pretendime. Kryeministri Edi Rama ka kërkuar në mënyrë të përsëritur një dialog të pakushtëzuar, duke thënë se protestat kanë dëmtuar imazhin e vendit.
Gjatë protestave të kaluara, ka patur edhe përplasje mes përkrahësve të opozitës dhe forcave të rendit. Në protesta ka patur edhe hedhje me Molotov ndaj policisë, ndërkohë që policia është kundërpërjigjur me gaz lotsjellës.
Kryedemokrati Basha është zotuar se do të vazhdojë me protestat, duke thënë se këto protesta nuk ndryshojnë nga ato në Francë, Itali apo vende të tjera perëndimore.
Deputetët e opozitës kanë hequr gjithashtu dorë nga mandatet e tyre në Parlament, si dhe ka bojkotuar zgjedhjet lokale të 30 qershorit, madje duke kërcënuar se do t’i parandalojë ato.
‘Në demokraci nuk ka zgjedhje pa opozitën. Nuk ka demokraci pa pluralizëm’, tha Basha në një intervistë me The Associated Press.
‘Kryeministri Rama ka nën kontroll të gjitha pushtetet: ekzekutivin, legjislativin dhe gjyqësorin. Ai ka mediat dhe biznesin nën kontrollin e tij’, ka thënë për Associated Press kryedemokrati Basha.
Në fund të fundit, zgjedhjet e parregullta vendore apo dhuna gjatë zgjedhjeve do të përdoreshin nga ana e euroskeptikëve në vendet anëtare të BE që të parandalonin nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Shqipëria do të humbiste një tjetër shans për anëtarësimin në Europë dhe kjo nuk do të ishte hera e parë që prej ajo doli nga regjimi komunist.