Media ndërkombëtare i ka kushtuar një vend të posaçëm rekomandimit nga ana e Komisionit Europian të fillimit të bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
”Financial Times” shkruan se ”përplasja për ndikim strategjik në Ballkanin Perëndimor filloi sot kur Komisioni Europian rekomandoi fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë për t’iu bashkuar BE-së”.
Propozimi për hapje të negociatave do të jetë i pari që propozohet pas gati pesë vitesh dhe vjen në një çast që BE-ja po konkurron me Rusinë për influencë në shtetet e ish-Jugosllavisë dhe të fqinjëve të tyre.
Ky rekomandim duhet të marrë një miratim përfundimtar në qershor nga krerët e shteteve të BE-së, të cilët do të peshojnë zgjerimin me shqetësime që prekin krimin e organizuar, korrupsionin dhe mosmarrëveshjet dypalëshe në rajon.
Shqipëria dhe Maqedonia do t’i bashkohen dy shteteve të tjera ballkanike, Serbisë dhe Malit të Zi, në bisedimet për në BE.
Plani ambicioz i komisionit, ndonëse vetëm këshillues, është që vendet nga rajoni duhet të bëhen anëtarë të bllokut deri në vitin 2025.
”Washington Post” shkruan se Komisioni Europian rekomandoi që BE-ja të fillojë bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë, ndonëse entuziazmi për zgjerim të bllokut të 28-kombeve ka rënë.
“Krahu ekzekutiv i BE-së, që monitoron progresin e reformave mes vendeve që shpresojnë t’i bashkohen”, njoftoi sot se dy vendet janë në rrugën e duhur.
Shefja e BE-së për Punët e Jashtme, Federica Mogherini tha se “rekomandimet janë bazuar në një vlerësim të fortë, strikt në lidhje me progresin e bërë”.
Ajo shtoi se “vendimi për të rekomanduar hapjen e negociatave është një inkurajim për këto vende që të vazhdjnë në rrugën e reformave”.
”New York Times” thekson se ”Komisioni Europian rekomandoi fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë edhe pse entuziazmi për zgjerimin në bllokun e 28 vendeve ka rënë”.
”Dy vendet janë në rrugën e duhur”, tha ky komision.
Ndërkohë, shefja e politikës së jashtme të unionit, Federica Mogherini tha se rekomandimet ”janë bazuar në vlerësimin strikt të përparimeve të kryera”.
”Le Figaro” shkruan se ”Komisioni Europian u propozoi sot shteteve anëtare të BE-së të hapin negociatat për një aderim të Shqipërisë dhe Maqedonisë”.
“Komisioni Europian propozoi që Këshilli të hapë negociatat për aderim të Shqipërisë dhe Maqedonisë”, deklaroi Mogherini gjatë një konference për shtyp në Strasburg ku Parlamenti Europian është mbledhur në sesion plenar.
”Le Monde” thekson se ”A do të zgjerojnë Bashkimin Europian dy vende të reja të Ballkanit? Komisioni Europian u propozoi, sot më 17 prill, shteteve anëtare të Unionit të hapin negociatat për një aderim të Shqipërisë dhe të Maqedonisë.
“Vendimi bazohet mbi vlerësimin e progresit të realizuar nga këto dy vende mbi rekomandimet e bëra në vitin 2016 dhe një shqyrtim të masave të aplikuara nga Tirana dhe Shkupi”, shpjegon Mogherini gjatë një konference për shtyp në Strasburg./ ATSH