Ish-deputetja demokrate, Rudina Hajdari, e cila u përjashtua nga Partia Demokratike në mars 2019, u rikthye në partinë më të madhe opozitare duke u zgjedhur anëtare e Këshillit Kombëtar të PD ditën e shtunë.
Pavarësisht kritikave të ashpra ndaj ish-kreut të PD Lulzim Basha për drejtimin e gabuar të partisë në 9 vite dhe ish-kryeministrit Sali Berisha duke e konsideruar këtë të fundit “ofertë të vjetër” për qytetarët shqiptarë, ajo pranoi ftesën e Berishës për të marrë pjesë në lëvizjen për rithemelimin e hapjen e PD.
Ndryshe nga Edvin Kulluri dhe Ibsen Elezi, kritikë prej kohësh të Bashës dhe Berishës që në 2017 dhe që nuk u zgjodhën në Këshillin Kombëtar demokrat, ish-deputetja Rudina Hajdari u votua si njëra prej 150 kandidatëve më të preferuar për të qenë në Këshillin Kombëtar të PD. Megjithatë, duket se ajo ka harruar akuzat e shumë demokratëve ndaj si tradhtare e idealeve të partisë dhe emrit të babait të saj Azem Hajdari, i shpallur “Hero i Demokracisë”.
Në një studio televizive, vetë Rudina Hajdari deklaroi në 15 dhjetor të vitit të kaluar se babai i saj nuk ka nevojë për tituj pasi Kuvendi i 11 dhjetorit shpalli Azem Hajdarin “Kryetar Nderi” të PD. Edhe pse ajo e konsideroi Berishën si kryetar autoritar, Hajdari shtoi se ish-lideri historik i demokratëve është penduar për mënyrën se si është sjellë ndaj babait të saj. Madje, ajo pranon se familja e saj ka përjetuar stres të madh për shkak të përplasjeve Hajdari-Berisha në vitet 1992-1998.
“Babai im nuk ka pasur nevojë për tituj, ishte njeri i popullit, mënyra se si trajtohet tani, nuk i vlen figurës së Azem Hajdarit. Berisha mund të ketë arsye të veta, por nuk e mendoj të vlefshme, si vajza e tij, që në çdo përvjetor apo 8 dhjetor ka pasur ngjarje të tilla ku janë festuar pranë bustit. Mendoj se (Sali Berisha) është penduar. Sjellja e tim ati ka qenë e ndershme. Im atë e ka mbështetur, kurrë nuk e ka hedhur poshtë, ka qenë korrekt me të.
Faktet flasin, s’mund të harrohen. Më shumë mbaj mend stresin në familje që sillnin këto përplasje. Ndihej shumë i tensionuar dhe i rrezikuar në shumë raste, por kishte mbështetjen e demokratëve dhe shqiptarëve”, shprehej ish-deputetja demokrate në një studio televizive në 15 dhjetor të vitit të kaluar.
Berisha bën me “mea culpa”
Por, rikthimi i Rudina Hajdarit në PD në kohën kur Berisha “de facto” ka rimarrë partinë, edhe pse ajo këmbëngul vazhdimisht për të se nuk mund ta rikthejë PD në pushtet, lë shumë hapësira diskutimi. Mund të jetë një “mea culpa” e ish-kryeministrit ndaj saj pasi në 2019 nuk kundërshtoi publikisht përjashtimin e Hajdarit prej partisë nga Lulzim Basha kur ajo refuzoi djegien e mandatit të deputetes?
Mund të jetë një pakt bashkëpunimi afatgjatë mes tyre, edhe pse Berisha prej vitesh ka ndryshuar qëndrim ndaj Azem Hajdarit duke e akuzuar fillim të viteve ‘90 si spiun të Sigurimit të Shtetit, tradhtar, komunist, duke i hequr mandatin e deputetit dhe përjashtuar nga PD, e më pas duke vajtuar vrasjen Hajdarit para selisë së PD në 12 shtator 1998 e deri sot ku e quan simbolin e demokracisë shqiptare? Ndoshta koha do ta tregojë të vërtetën, por me siguri që ai moment do të vijë me vonesë.
Pavarësisht që prej 1998 ka patur shumë zëra se Berisha shtyu pabesisht Hajdarin të vritej para selisë së PD, duke patur dijeni paraprakisht se vrasësit ndodheshin në një fugon para ndërtesës së partisë (të përmendura nga ish-truproja i Berishës, Izet Haxhia; Jaho Mulosmani, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Azem Hajdarit, ish-shefi i SHIK-ut, Fatos Klosi, etj), Rudina Hajdari nuk ka pranuar se i ati i saj humbi jetën nga ndonjë kurth i ngritur nga ish-lideri historik i PD.
Glauk Olldashi rizgjidhet në Kuvendin e 30 prillit
Një tjetër befasi në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD ishte Glauk Olldashi, i biri ish-ministrit, ish-deputetit dhe një prej figurave më të rëndësishme të PD, Sokol Olldashit. I riu demokrat është shfaqur që në 2019 në krah të Lulzim Bashës gjatë një takimi me 300 Studentë Europianë Demokratë. Vetë Basha e vlerësoi kontributin e Glauk Olldashit. “Merita e Glaukut është që në ditën e parë ka qenë krah studentëve shqiptarë në betejën për arsimin e lartë të standardeve evropiane”, deklaronte Basha atë kohë. Olldashi mori pjesë në protestat e opozitës në vitet 2019.
Madje, u zgjodh anëtar në Këshillin Kombëtar të PD në Kuvendin e 17 korrikut 2021, kur Basha u votua për herë të tretë kryetar i PD dhe demokratët nuk ishin të përçarë. Në nëntor 2021, Glauk Olldashi pranoi se mbështet lëvizjen e Sali Berishës për rithemelimin e PD, lëvizje që pati armikun kryesor Lulzim Bashën. Po edhe në këtë rast, Berisha ka hapur derën e partisë për djalin e kundërshtarit të tij, të ndierit Sokol Olldashit, pasi kur ky i fundit garoi përballë Bashës për kreun e PD, ish-kryeministri doli hapur në mbështetje të Bashës.
Djali i Olldashit shihet krah Bashës
Në një studio televizive, ai u pyet se përse mbështet ish-liderin historik të demokratëve, pasi në zgjedhjet për kryetar të 2013 Basha pretendohet se u mbështet nga Berisha në garën kundër Sokol Olldashit, Glauk u përgjigj se është pro-kauzës së ngritur dhe mbrojtur nga Berisha, por jo me individin. Ai theksoi se Berisha mund të hapë një kapitull të ri për PD. Pavarësisht zhgënjimit të Sokol Olldashit me Berishën në 2013, i biri deklaroi 8 vite më pas se jeta është një ironi e madhe.
“Sa i përket mbështetjes së forumit rinor ndaj Doktorit nuk është thjesht si individ, por është më shumë mbështetje ndaj kauzës që ai ka marrë përsipër të na drejtojë. Një kauzë që është ngritur jo pak herë nga ne, por nga shumë aktivistë të PD që sot nuk janë më pjesë e saj fatkeqësisht. Deri tani, asnjë nga ne nuk ka patur fuqinë e duhur politike për ta kthyer këtë kauzë në një lëvizje të suksesshme. Jeta është një ironi e madhe! E thënë pak më ndryshe, do të ishte që, ai që filloi etapën e demokracisë në vendin tonë, për ironi të fatit është edhe ai që ka mundësinë më të madhe që ta mbyllë këtë etape dhe të nisë një PD ku forumet funksionojnë”, deklaroi Glauk Olldashi në nëntor 2021.