Një javë pas supergrabitjes në aeroportin e Rinasit, ka folur për mediat vëllai i Admir Muratajt, i cili mbeti i vrarë me plumb në kokë gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë e Shtetit.
Vëllai i 47-vjeçarit, Can Murataj ka treguar detaje nga jeta e Admirit, ndërsa shprehet se ai ka ushtruar profesionin e mësuesit para se të ikte me gruan dhe fëmijët në drejtim të Greqisë. Sipas tij, Admiri ka punuar si murator në Greqi dhe prej andej u kthye i zhgënjyer nga jeta, teksa i kishte treguar atij se Greqia “kishte marrë fund”.
“Ka qenë mësues, më tej iku nga mësuesia dhe mori gruan e tij dhe fëmijët në Greqi. Punoi atje murator, por pasi disa vitesh u rikthye i zhgënjyer nga jeta atje. Iku nga mësues mori nusen iku në Greqi. I thashë: Vëllai ik nga Greqia, Evropa është e madhe! Të jeni të bindur tek zoti, ka filluar punën në Greqi murator, mori një magazinë supermarket për mirëmbajtje”, tha vëllai.
I pyetur për identitetet që përdorte, Murataj tha se këtë vëllai e kishte bërë për motive përfitime duke treguar se shumë shqiptarë përdorin një strategji të tillë në të gjithë Greqinë.
“I ka ndërruar emrat për motive përfitimi. Po nuk ishe Thanasi në Greqi nuk t’u hapnin duart. Më erdhi më tha Greqia ka marrë fund, ka rënë 16 kile në peshë, nuk e kanë njohur si njeri. Në vitin 2014-ën ju kthye grabitjeve në shuma të mëdha”- shprehet ai.
Vëllai tha se familja e Admirit, gruaja dhe 4 fëmijët kanë jetuar në Tiranë gjithmonë. Ai përsërit se nuk kanë pasur asnjë kontakt me vëllain prej vitesh.
“Bashkëshortja me 4 fëmijët ka jetuar gjithmonë në Tiranë. Nuk është shkëputur asnjëherë nga Tirana. Që nga historia e Greqisë, pastaj nga 2015 e mbrapa vetë kur e dëgjonim në televizor dhe ditët që shkonim në gjykatë, aty e dëgjonim emrin e tij,Pastaj nuk kemi pasur asnjë kontakt”, tha ai.
Vëllai tregoi se kurrë nuk ka përfituar para nga Admiri dhe gjithsecili ka pasur jetën e tij. Madje Can Murataj tha se nga ky moment i bie barra për të mbajtur familjen e vëllait të tij të vdekur. Ai shprehet se do i qajnë hallet me policinë por se nuk do jenë bashkëpunëtorë asnjëherë. Cani pretendon se kanë përdorur guximin e Admirit njerëz që nuk i identifikon. Madje ai thotë se ndoshta pas 2 vitesh do të dalë një bashkëpunëtor i drejtësisë dhe do të flasë.
I vëllai nuk ngurron ta quajë Robin Hood Admirin dhe thotë se pasionet e tij ishin miqësia, shoqëria, tavolina, ecja në natyrë dhe se ishte një zemërluan. “Sa i peshonte gjithë trupi kishte zemrën”, thotë Cani. /BalkanWeb)