Nga Adriatik Doci
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka arsyetuar vendimin e shkarkimit përfundimtar nga detyra të ish gjyqtares së Apelit Tiranë, Fatmira Hajdari, ish bashkëshortja e Azem Hajdarit, njëherësh mamaja e Rudina Hajdarit.
Me 24 tetor 2022, KPA-ja la në fuqi vendimin e shkallës së parë të Vetingut, për shkarkimin e zonjës Hajdari, për shkak se nuk justifikonte me burime të ligjshme të ardhurash një pasuri me vlerë mbi 900 mijë USD, kishte fshehur heqjen e vizës amerikane nga Ambasada Amerikane, kishte ndërtuar pa leje, kishte përfituar tokë publike në mënyrë të dyshimtë etj.
Pas shkarkimit nga Komisioni i Vetingut, Fatmira Hajdari nisi një betejë ligjore në Apel, duke kërkuar rikthimin në detyrë. Nga viti 2020 deri në vendimin e formês së prerë, zonja Hajdari ka përfituar 70 % të pagës.
Fatmira Hajdari ka kundërshtuar të gjitha konkluzionet e KPK-së për mungesën e burimit të të ardhurave për një pallat 10 kate në Tiranë, ndërtuar pa leje, për një apartament në Qytetin Studenti, se nuk ka deklaruar sipas ligjit sipërfaqet e truallut 142 m2 dhe 150 m2, nuk justifikon 207 mijë euro të investuara për ndërtimin e pallatit në zonën e njohur ‘Vilat Gjermane’, nuk justifikon 10 000 000 lekë për blerje materiale ndërtimi, nuk justifikon një dyqan 67 m2, një tjetër shumë 160 mijë euro etj.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka bërë një tjetër analizë financiare të pasurisë së Fatmira Hajdarit, duke marrë në konsideratë pretendimet e ish gjyqtares. Bazuar në analizën e dytë, Kolegji i Apelimit arrin në konkluzionin se Fatmira Hajdari sërish nuk justifikon me burime të ligjshme një pasuri me vlerë rreth 90 milionë lekë ose rreth 900 mijë USD. Konkluzioni i Kolegjit të Apelimit është i përafërt me konkluzionin e Komisionit të Vetingut (KPK).
Revokimi i vizës amerikane
Zonja Hajdari nuk kaloi as testin e pastërtisë së figurës, pasi sipas KPK-së dhe Drejtorisë për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, ka fshehur faktin që Ambasada Amerikane i ka hequr vizën për të udhëtuar drejt SHBA.
Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me SHISH, ka hartuar dy raporte për pastërtinë e figurës të gjyqtares së Apelit Fatmira Hajdari, për llogari të Komisionit të Vetingut. Në 2 nëntor 2017, DSIK i ka dërguar një raport Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke konstatuar se zonja Hajdari ishte e përshtatshme për të vijuar detyrën.
Ndërkaq, në tetor 2019, DSIK ka ndryshuar mendim, duke referuar një raport tjetër në KPK, me konstatimi se zonja Hajdari nuk është e përshtatshme për të vijuar detyrën si gjyqtare. Sipas DSIK, Fatmira Hajdari është pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilëve Ambasada Amerikane në Tiranë u ka hequr vizat si të korruptuar, ndërsa vetë gjyqtarja ka deklaruar se viza amerikan i është bllokuar deri në fund të procesit të Vettingut dhe jo si e korruptuar.
Fatmira Hajdari ka pretenduar në KPA se kur ka dorëzuar formularin për pastërtinë e figurës, në 27 janar 2017, nuk ishte në dijeni të bllokimit të vizës, ku në këto rrethana, nuk kishte si ta deklaronte. Por, KPA, arsyeton se Fatmira Hajdari është njoftuar nga Ambasada Amerikane për refuzimin e vizës, pra se është përfshirë në ‘listën zezë’ të gjyqtarëve dhe prokurorëve me veprimtari të dyshimtë, të cilët nuk mund të udhëtonin drejt SHBA-ve. KPA-ja ka theksuar se pretendimet e Fatmira Hajdarit nuk qëndrojnë, duke sjell si argument edhe faktin se listat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që u ishte refuzuar viza, ishte botuar gjerësisht në media para plotësimit të formularit për pastërtinë e figurës për llogari të Vetingut.