Ka nisur qarkullimi i automjeteve në njërin aks të Bypassit të Fierit, rrugë kjo që shkurton me të paktën 35 minuta kohën për të shkuar në Vlorë, në kulmin e këtij sezoni turistik. Kryeministri Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato inspektuan këtë segment rrugor.Ministrja Balluku bëri të ditur se ndërtimi i këtij aksi dhe vendosja në funksion shkurton me 35 minuta distancën me Vlorën teksa shtoi se në bashkëpunim edhe me policinë rrugore janë marrë të gjitha masat për menaxhimin e trafikut.
“35 minuta më pak na duhen për të shkuar në Vlorë. Policia rrugore ka marrë të gjitha masat për të siguruar gjithçka”, deklaroi Balluku.Përfaqësuesi i kompanisë që po realizon punimet, garantoi se në muajin nëntor të këtij viti do të vihet në funksion edhe korsia tjetër e këtij aksi, ndërsa e gjithë vepra do të jetë plotësisht e përfunduar, ashtu siç parashikon kontrata, në shkurt të vitit të ardhshëm. “Në nëntor hapet dhe tjetër, domethënë për 28 nëntorin për në Vlorë i kemi të dyja? Shumë mirë”, u shpreh kryeministri Rama. Bypass-i i Fierit, ka një gjatësi prej afro 22 kilometrash. Brenda dy javëve pritet të përfundojnë punimet edhe për vënien në funksion të kryqëzimit të Levanit i cili do të bëhet të mundur kalimin në këtë aks rrugor të mjeteve të cilat lëvizin në drejtim të Tepelenës dhe anasjelltas. Projekti i Bypass-it të Fierit parashikon gjithashtu edhe ndërtimin e rrugëve dytësore gjatë gjithë gjatësisë në të dyja anët e rrugës. Duhet thënë se kjo rrugë ka 7 vjet që mbahet e bllokuar, për shkak se kompania e parë u largua duke lënë punimet në mes, që në qeverisjen e Berishës. Punimet nisën menjëherë pas ndryshimeve në qeveri që firmosi Rama, me ardhjen në krye të ministrisë së Transporteve të ministres Balluku e cila e vuri prioritet të punës së saj përfundimin e punimeve në Bypass-in e Fierit.