Nga Mero Baze
Kufiri detar mes Shqipërisë dhe Greqisë do të vendoset nga Gjykata Ndërkombëtare. Dy vendet nuk do të zhvillojnë negociata për këtë çështje, por do të bëjnë një betejë ligjore në Gjykatën Ndërkombëtare.
Beteja e Greqisë është të mbrojë marrëveshjen e vitit 2009 me Sali Berishën, që ndikohet nga referenca si kufi e ishullit të Othonoit.
Beteja e Qeverisë shqiptare është të ndryshojë referenca e kufirit, për t’iu përmbajtur marrëveshjes për shelfin kontinetal që ka parim vijën e mesme të korrektuar, siç e ka bërë Greqia me Italinë, dhe jo nën ndikimin e ishullit të Othonoit, që Greqia e konsideron kufirin e jashtëm të saj.
Se kush do fitojë në Gjykatën Ndërkombëtare nuk është më as në dorë të Shqipërisë, as të Greqisë, pavarësisht se palët do japin argumentet e tyre.
Problemi i vetëm paksa tragji-komik, është se Greqia ka një palë dhe një qëndrim, dhe mbron idenë që ishulli i Othonoit është referencë.
Pala shqiptare ka dy qëndrime. Qëndrimin e Qeverisë, që kërkon ta zhbëjë këtë referencë, pra ta heqë ishullin e Othonoit si referencë për kufirin, dhe qëndrimin e Sali Berishës dhe Ilir Metës, që janë me qëndrimin grek, që duhet ruajtur ajo marrëveshje e 2009, që e merr ishullin e Othonoit si referencë.
Çdo gjyq ka gjithmonë dy palë. Vetëm ky gjyq ka tre palë. Dy palë janë me qëndrimin grek, dhe një me atë shqiptar.
Pra kemi Qeverinë greke dhe Sali Berishën e Ilir Metën, që do mbrojnë marrëveshjen e 2009, dhe Qeverinë shqiptare, që do një interpretim të ri.
Tani ne duhet të presim se kush do fitojë, aleanca e Qeverisë greke me Berishën dhe Metën, apo versioni i Qeverisë shqiptare.
Eshtë pak ironike, por kushdo që të fitojë, një palë shqiptare ka për të fituar, ose Qeveria që kërkon pak më shumë det, ose Berisha e Meta me Qeverinë greke, që duan atë det që na la marrëveshja e 2009.
Hajt me fat, se barazimin e kemi në xhep. Në atë xhep ku mban Qeveria greke marrëveshjen e Berishës e Metës.