Analisti i njohur, Frrok Çupi ka komentuar zhvillimet e fundit në politikën shqiptare, ndërsa ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të presidentit Ilir Meta.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, analisti Çupi theksoi se Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit duhet të kishte trokitur në derën e Ilir Metës me pranga në duar pas deklaratave të këtij të fundit, ku zbuloi se dekretin për shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit të vitit 2019 ia kishte kërkuar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Presidenti tha se vetë, me dashje, kishte kryer një krim kushtetues ndaj të drejtës së popullit për të votuar. Ai tha se dekretin për shtyrjen e datës ‘ia kishte kërkuar kryetari i PD, Basha’. Dhe Meta e shtyu. Do të thotë se presidenti i lëshon dekretet e bllokimit të shtetit sa herë ia kërkon një ‘klient’.
Prokuroria, dje në mbrëmje, duhej të kishte trokitur në derën e Ilir Metës me pranga në duar, për një krim kushtetues të deklaruar në flagrancë. Por jo se këtë e bëri Amerika. Autorët e aktit vijnë në vendin e krimit, padyshim. Amerika ka kryer vetëm një lëvizje të putrës ndaj ‘miut’.
Vite e vite të tëra gjatë të cilave zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar ‘i erdhën hakut’ popullit të tyre, aleat me Amerikën, aleati i madh bëri shfryrjen më të vogël të ‘kafshës’ bezdisëse. Këta as mund të vrisnin më njeri, as mund të urdhëronin zhdukje në masë, as mund të ushtronin korrupsionin e rëndësishëm, siç kishin bërë deri në atë moment”, deklaroi ai.
Më tej analisti Çupi sulmoi edhe ish-kryeministrin Berisha. “Amerika, në 19 maj 2021, i hoqi valvulën Berishës, ish-President e ish-Kryeministër, i fiksuar me vjedhjen, korrupsionin e krimin kundër demokracisë dhe individit. Në 9 shtator PD e përjashtoi nga Parlamenti…
Pritet që të thërriten nga Drejtësia pjesëtarët e familjes së tij… Shikojeni tani në ç’derexhe është katandisur. Ka dalë rrugëve, mbledh milet pa dallim, pijanecë, të metë, rapsodë, të burgosur, hajdutë, ça të jenë dhe bën ushtri ‘demokratikase’ anti- amerikane”, nënvizoi Çupi.