Kosova pritet të refuzojë çfarëdo ftese për takimin e radhës të Ballkanit të Hapur i paraparë të mbahet më 7 qershor në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Megjithëse, Mali i Zi pritet të ndryshojë qëndrim për këtë iniciativë rajonale me kryeministrin Dritan Abazoviç që ka paralajmëruar se do të jetë pjesë e takimit të Ohrit, në Kosovë nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi.
Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje mbesin të palëkundur kundër Ballkanit të Hapur, po ashtu me këtë qëndrim janë edhe në Partinë Demokratike të Kosovës dhe shoqërinë civile. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë në një intervistë se Ballkani i Hapur nuk i ndihmon Kosovës në aspektin ekonomik dhe as të sigurisë, por e fuqizon Serbinë.
Sipas tij, bashkëpunimi rajonal i shteteve të Ballkanit Perëndimor duhet të bëhet në kuadër të Procesit të Berlinit. “Jemi kundër (Ballkanit të Hapur) dhe në mbështetje të Procesit të Berlinit. Mendojmë se Ballkani i Hapur nuk ndihmon në aspektin ekonomik të sigurisë dhe procese të tjera Republikës së Kosovës, përkundrazi e fuqizon Serbinë”, ka thënë ai.
Edhe pse thotë se Ballkani i Hapur nuk ka shumë dallime me Procesin e Berlinit, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku thekson se problemet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë të natyrës tregtare dhe ekonomike, por politike. “Në thelb dhe substancë nuk është se ka dallim të madh mes Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur.
Dallimi fondamental do të thosha unë është se tek Procesi i Berlinit kemi garancitë evropiane, përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe Brukseli e dikton tempin e marrëveshjeve.
Mirëpo ne duhet të jemi të qartë se problemi mes Kosovës dhe Serbisë nuk është i arsyes tregtare dhe ekonomike, mirëpo është i natyrës politike”, ka theksuar Vlora Çitaku. Në fillim të muajit të ardhshëm do të mbahet takimi i radhës i liderëve rajonal të Ballkanit të Hapur në Ohër të Maqedonisë së Veriut.