Altin Dumani është drejtuesi i ri i SPAK! Ai mori 5 vota, duke “mundur” në këtë garë Edvin Kondili që u rendit i dyti me 4 vota e ndërsa kandidati i tretë Adnan Xholi mori 1 votë. Pra në proces votuan 10 anëtarë të KLP-së nga 11 në total, kjo për shkak se Esmeralda Keshi nuk ishte e pranishme.
Dumani është drejtuesi i dytë i SPAK që prej krijimit të këtij institucioni kyç që pas reformës në drejtësi. Mandati i Dumanit është 3-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi. Kjo ishte hera e dytë që Dumani kandidoi për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, pasi herën e parë nuk fitoi përballë Arben Krajës.
Ambasadorja Yuri Kim, prezente në sallë
Gjatë kohës kur kandidati Edvin Kondili po raportonte në KLP, në sallë mbërriti edhe ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim. Diplomatja nuk la vend për spekulime dhe sqaroi se ardhja e saj nuk kishte qëllimin që të ndikonte në procesin e votimit, por për të treguar rëndësinë e procesit, duke e cilësuar si një moment kyç për reformën në drejtësi. Në sallë ishin edhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare dhe përfaqësues të ambasadës Amerikane.
“E shoh që ka shumë teori konspirative që dua të shpjegoj veten, dua të shpjegoj pse erdha. Ky është një moment i rëndësishëm për reformën dhe SPAK, pse erdha për të thënë që ky është një moment i rëndësishëm, erdha sepse ajo që është e rëndësishme në këtë tranzicion është integriteti i procesit, nuk jam këtu se për këtë duhet të votojnë ose jo, nuk ka asnjë mesazh të fshehur”, tha Kim.
Në përgjigje të akuzave që kanë mbërritur nga opozita, mes të cilëve edhe Sali Berisha që flasin për dështim të reformës, Kim këmbënguli që drejtësia ka bërë përparime. Si meritë, ia atribuoi jo vetëm qeverisë, por edhe opozitës që e ka sulmuar drejtësinë e re.
“Mbetet prioritet i SHBA që reforma të mund të zbatohet plotësisht, është bërë shumë përparim dhe shumë njerëz meritojnë meritë për këtë, duke filluar me qeverinë. Merita i shkon dhe opozitës dhe kritikëve që e mbajnë qeverinë të ndershme se kjo është puna e tyre”, tha Kim.
Reagojnë Rama, SHBA, BE dhe opozita
Akuzave të opozitës ju përgjigj edhe kryeministri Edi Rama. Pas zgjedhjes së Dumanjt, Rama përmes një reagimi tha se ky proces tregoi që SPAK foli vetë, ndërsa shton se akuzat e opozitës se ‘regjimi ka kapur’ SPAK i mori era.
“Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK foli vetë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe të gjitha thashethemet e katundit politik e mediatik për kapjen e s’kapjen e SPAK-ut nga regjimi i mori era”, shkruan Rama.
Përfaqësitë diplomatike më të rëndësishme në Tiranë, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadorja e Bashkimit Evropian kanë uruar Altin Dumanin për zgjedhjen e tij në krye të (SPAK). Në reagimin e bërë nga SHBA thuhet se do të ketë mbështetje të vazhdueshme për Dumanin dhe SPAK-un në luftën kundër korrupsionit. Por jo të të njëjtit qëndrim ka qenë opozita.
Partia Demokratike e Sali Berishës shkruan se përplasja e ambasadores Yuri Kim dhe kryeministrit Edi Rama për kreun e ri të SPAK tregoi se drejtësia është e kapur dhe procesi i zgjedhjes nuk është i pavarur. Ndërsa Gazment Bardhi i PD-së zyrtare bën thirrje që kreu u ri i SPAK duhet të qëndrojë larg politikës.
Platforma e fituesit, Altin Dumani dhe 2 kandidatëve të tjerë
“Për mua nuk kanë rëndësi emrat, por provat”….ky ishte thelbi i platformës së Altin Dumanit gjatë prezantimit që bëri para anëtarëve të KLP-së ditën e sotme. Dumani kishte kandiduar edhe 3 vite më parë, e këtë e ceku edhe sot duke thënë se fakti që nuk kishte fituar nuk e kishte stepur.
Drejtimin e SPAK, Dumani e cilësoi si një mision, jo një punë. Me marrjen e detyrës së re, ai shtoi se nuk do të lërë pas çështjet e rëndësishme për të cilat ai ka nisur hetimet. Vlerësime të larta pati për punën e Arben Krajës, sipas së cilit ka treguar se ka shenja si dhe indicie se është e aftë që të përballet me krimin e organizuar si dhe zyrtarë të nivelit të lartë.
I dyti, pas Dumanit, me 4 vota pro u rendit Edvin Kondili i cili “kalin” e betejës së platformës së tij, punën në grup të SPAK, si një formë për të përballuar presionet dhe kërcënimet që mund të vijnë, nisur nga fakti që bëhet fjalë për dosje të rëndësishme.
Edhe pse nuk kishte mbajtur më herët një post drejtues, ai nuk e shihte si mangësi, pasi thotë se para 2019, kohë kur nuk ishte krijuar ende SPAK, drejtuesit zgjidheshin në varësi të preferencave Prokurorit të Përgjithshëm. Ai foli edhe për një përplasje mes SPAK-BKH, duke thënë se nëse do ishte ai në vend të Arben Krajës do e kishte shmangur. Megjithatë, në përfundim, siç raporton gazetarja Keti Banushi, platforma e tij mori pëlqimin e 4 anëtarëve të KLP-së, 1 votë më pak se fituesi.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe prokurori Adnan Xholi! Edhe ai, tha se nëse do merrte drejtimin e SPAK, nuk do të çonte zyrtarë të lartë përpara drejtësisë mbi bazën e opinioneve, por fakteve dhe pronave, duke u shprehur i bindur se kishte eksperiencën e duhur për të marrë drejtimin e këtij institucioni të rëndësishëm të drejtësisë. Megjithatë, platformën e tij e mbështeti vetëm Sokol Stoja.
Kush është kreu i ri i SPAK, Altin Dumani?
Altin Dumani është lindur në Shupenzë të Dibrës, dhe njihet si “prokurori i pakompromis”. Një prej dosjeve më voluminoze dhe të bujshme ishte edhe ajo e operacionit të koduar koduar “Golden Bullet”, “Plumbi i artë”, pas arrestimit të dy vrasësve me pagesë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha.
Nga ky operacion u lëshuan 32 urdhërarreste. Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha. Ka një karrierë prej 20 vitesh si prokuror, në mars të vitit 1999, ka shkelur për herë të parë në prokurori, me detyrë në Sarandë, ndërsa sot është kreu i komanduar i prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda.
Dumani bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008. Gjithashtu, Dumani ishte edhe prokurori që çoi në burg ish-gjyqtaren e Krujës, Enkelejda Hoxha.