Ka nisur që prej orës 10:00 seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Në seancën e sotme plenare do të diskutohen disa pika në rendin e ditës siç janë buxheti faktik, ndryshimet në ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, si dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve me Kosovën.
Njësoj si në seancat e kaluara, edhe sot, opozita e bashkuar ka bojkotuar seancën. Kryetari Gramoz Ruci ka thënë se ka mbërritur për herë të dytë në Kuvend, dekreti i kthyer i Metës për ligjin për Teatrin e ri Kombëtar.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij, u përqëndrua tek debati i fundit që është shpalosur në media, lidhur me çështjen e mbylljes së lojërave të fatit. Rama ka thënë se pikat e basteve do të mbyllen, dhe se nga 1 janari nuk do të ketë më lloto, as online.
Rama ka bërë një deklaratë të fortë kur ka thënë se deputetët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave po kërcënohen dhe sulmohen me mesazhe të orkestruara nga dhomat e burgut tek 313.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Deputetët e Komisionit të Ekonomisë po sulmohen me mesazhe të orkestruara nga dhomat tek 313. Online është shumë kompleks, do të arrijmë në një konkluzion të studiuar, në bazë të të cilit do kemi një diskutim më tutje.
Në 1 janar nuk ka më asnjë lloj basti dhe kazino elektronike në zonat e banuara. Janë bërë spekulime, s’ka më kazino në periferi. Kazinotë do të jenë vetëm në resortet me 5 yjë. Kjo veprimtari, financohet nga krimi i organizuar.
Një veprimtari ku Universiteti i Tiranës ka bërë një studim, dhe gjetjet e studimit janë shokuese. Do shkojmë në fund të kësaj beteje. Dështuam, pasi nuk i dhamë dot fund kazinove elektrikonike.
E ndjera gjyshja ime, thoshte jo çdo gjë vjen për keq. Ata që kanë ngritur llumin duke shpresuar se do të na zbrapsin përmes një shpifjeje, thjesht le ta mbajnë për vete, turpin e përfaqësimit të këtij llumi.
Ne dimë për lidhje te atyre që shkojnë banak më banak, për të kundërshtuar në mënyrë hipokrite dhe hileqare në një monopol online, por janë të lidhur me interesat që kulmojnë në burgun e sigurisë së lartë në Tiranë.
Çdo sallon bastesh në rrugë, në Francë të çon në burg 3 vite. Qeveria lejohet të kufizojë aktivitetin për të mbrojtur konsumatorin. E drejta për ta kufizuar tregun deri në mbyllje.