Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, (KAS) ka përfunduar rinumërimin e votave për partitë në 108 kuti në qarkun e Durrësit, pas pranimit të kërkesës së LSI.
Nga 108 kuti të rinumëruara LSI s’ka rikuperuar asnjë votë nga 136 që kërkonte për të marrë mandatin. Nga 108 kuti të numëruara LSI ka marrë minus 1 votë , PD i kanë zbritur 38 vota ndërsa PS-së i janë zbritur 26. Për të bërë verifikimin dhe rinumërimin, ishin ngritur 8 grupe në sallën e KAS.
Duhet thënë se thuajse për të gjitha votat ka të bëjë me çështje interpretimi të votave të pavlefshme. Ndërsa votat e hequra për PS dhe PD tregon në fakt se ka një disproporcion të votave të PD-së e cila ka marrë më pak vota se Partia Socialiste në rang qarku por nga rinumërimi i 108 kutive nga 481 gjithsej, PD-së i janë zbritur shumë më shumë.
Kjo nuk është hera e parë që KAS ka rinumëruar votat e 25 prillit. Më herët, me kërkesë po të LSI-së, u hapën 114 kuti në qarkun e Beratit dhe ajo që u vu re ishte se nga rreth 35 mijë fletë votimi të numëruara për herë të dytë, LSI rikuperoi gjithsej me 15 vota, nga 77 që i duheshin për t’i marrë mandatin Partisë Socialiste. Rikuperimi prej 15 votash nga dhjetëra mijëra vota të numëruara tregoi se proporcioni ishte i papërfillshëm.
KAS ka vendosur gjithashtu të rrëzojë kërkesat e PD dhe LSI për shpallje pavlefshmërie dhe përsëritje të zgjedhjeve në Berat, Gjirokastër, Vlorë, Durrës dhe Shkodër, teksa pritet shqyrtimi i ankimimeve të tjera të bëra nga këto forca politike. Këto vendime, PD dhe LSI i kanë quajtur me prapavijë politike.