Më 1 gusht 2018, Departamenti i Policisë Kriminale në Tiranë referoi një kallëzim penal për një rrjet kompanish dhe transaksione multimilionëshe, që dyshohet se fshehin një skemë të pastrimit të parave me origjinë të dyshimtë-një pjesë me rrënjë në tregun ilegal të lojërave të fatit.
Kallëzimi u kthye në një procedim penal nga Prokuroria e Tiranës, por skemës së dyshuar iu vendos një emër vetëm pas atentatit të përgjakshëm në lokalin “Monopol” në zonën e ish-Bllokut, ku u vra Fabjan Gaxha dhe mbeti i plagosur Ervis Martinaj, një 36 vjeçar kontrovers i botës së krimit në Tiranë.
Martinaj u arrestua mesnatën e 4 tetorit në Spitalin Ushtarak në Tiranë, i akuzuar si organizator i përplasjes së armatosur që shkaktoi një të vrarë, dy të plagosur dhe shumë panik në zonën e ish-Bllokut. Më 10 tetor, dosjes së tij penale iu shtuan një mori akuzash të reja për “pastrim parash”, “organizim të llotarive të palejuara”, “fshehje e të ardhurave” dhe “falsifikim dokumentesh”.
Dyshimet për përfshirjen e Martinajt në pastrim parash apo në tregun ilegal të lojërave të fatit në kryeqytet nuk janë një çështje e muajve të fundit.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se përgjatë një dekade, Martinaj themeloi një rrjet kompanish të lojërave të fatit, kreu transaksione pronash në cash prej mijëra eurosh dhe qarkulloi përmes sistemit bankar rreth 1.5 milionë euro, ndërkohë që një seri agjencish shtetërore bënë një sy qorr ndaj origjinës së panjohur të parave.
Pas zgjerimit të hetimeve mbi Martinajn, grupi i përbërë nga prokurorët Anisa Qilimi, Kreshnik Ajazi dhe Artan Lulaj paralajmëron verifikime edhe për një sërë institucionesh shtetërore, të cilat kanë për detyrë sinjalizimin e rasteve të tilla. Një burim nga grupi hetimor i tha BIRN se po kryhen verifikime nëse Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave apo ajo e Tatimeve kanë referuar informacione mbi transaksionet apo evazionin e dyshuar fiskal në organet e zbatimit të ligjit.
BIRN i drejtoi pyetje të detajuara Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave mbi transaksionet e Martinajt, por ky institucion u përgjigj se nuk mund të jepte të dhëna mbi raste konkrete.
“Mbështetur në ligjin për informacioni e klasifikuar sekret shtetëror dhe aktet nënligjore përkatëse, DPPPP nuk mund të shpërndajë të dhëna për raste konkrete, duke cituar personat e investiguar prej nesh,” u përgjigj DPPP.
Akuzat e Prokurorisë kundërshtohen nga avokati i Ervis Martinajt, Mirash Martini. Në një përgjigje me shkrim, avokati Martini hodhi poshtë si të pabazuara në prova akuzat për “vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë”, “organizim lojërash fati të palejuara” apo “pastrim të produkteve penale”.
“Është alogjike trajtimi i viktimës së një vepre penale, si kriminal nga Prokuroria,” tha avokati Mirashi, duke pretenduar se nuk ka asnjë provë që e lidh klientin e tij në ndonjë rol me ngjarjen e 4 tetorit. Sa i përket transaksioneve bankare, Martini tha se ato kanë lidhje me kompaninë e këmbimit valutor “Mati Union” në emër të babait të Martinajt.
“Kontakte me biznesin dhe politikën”
Forca policie të cilat kanë rrethuar spitalin Amerikan 2, ku është shtruar për kurim Ervis Martinaj, | Foto nga : LSA
I lindur në Burrel në vitin 1982, emri i Ervis Martinajt është lakuar për një sërë ngjarjesh të rënda në Tiranë. Megjithatë, para përplasjes së armatosur në ish-Bllok, ai është hetuar dhe dënuar tre herë për organizim llotarish të palejuara si dhe u procedua për vrasjen e Enton Nikës në vitin 2015 në Linzë, ngjarje për të cilën Gjykata e Apelit të Tiranës e çliroi nga akuzat.
Precedentët e Martinajt janë megjithatë më të shumtë sesa dosjet e tij gjyqësore.
Në tetor 2013, kur Policia e Shtetit gjendej në kulmin e operacionit “Fundi i Marrëzisë”, Martinaj u denoncua se kishte kërcënuar shefin e repartit “Shqiponja” në Tiranë, pas bllokimit të rreth 400 makinetave të lojërave të fatit në një magazinë që zotërohej prej tij.
Ndërsa në mars 2017, dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja deklaroi para Gjykatës së Krimeve të Rënda se Ervis Martinaj i kishte ofruar 7 milionë euro për t’u tërhequr nga dëshmia kundër Emiljano Shullazit. Pas refuzimit të tij, Beqja deklaroi se Martinaj e kishte kërcënuar. Prokuroria deklaroi se kishte nisur hetime për të dyja rastet, por Martinaj nuk u penalizua për asnjërën.
Mbrëmjen e 4 tetorit, Ervis Martinaj mbeti i plagosur në një lokal në qendër të ish-Bllokut, pas një përplasjeje të armatosur që i kushtoi jetën mikut të tij, Fabjan Gaxha dhe plagosi edhe Eljon Haton. Prokuroria ka shpallur në kërkim Ervin Matën, Fabio Allushin, Meviol Bilon dhe Ajaks Boshnjakun për vrasjen e Gaxhës, ndërkohë që Ervis Martinaj akuzohet si organizator i konfliktit.
Për të ngritur akuzën e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, e mbetur në tentativë”, tre prokurorët e çështjes u bazuan tek të dhënat e siguruara nga një telefon i markës IPhone X, të dhënat e të cilit u ekstraktuan pas dërgimit me një letër-porosi në Izrael.
Sipas kërkesës për masë sigurie të Prokurorisë, mesazhet telefonike në “Whatsapp” dhe “Telegram” tregojnë se Martinaj u ka kërkuar shokëve të tij që të shkojnë të armatosur në lokalin “Monopol”, ku ndodhej më parë Ervin Mata.
Përveç të dhënave me rëndësi për hetimin e kësaj ngjarjeje, Prokuroria pretendon se telefoni i Martinajt ishte një “minierë të dhënash”.
Sipas Prokurorisë, autoritetet izraelite kanë sjellë 239 faqe me rreth 73 mijë të dhëna, të tilla si mesazhe telefonike, komunikime, foto dhe video. Një burim i Prokurorisë që foli me BIRN në kushtet e anonimatit tha se Martinaj mbante kontakte të vazhdueshme me persona të ndryshëm në disa shtete të Europës si dhe me njerëz të njohur në Shqipëri.
“Martinaj ka pasur kontakte me njerëz të politikës, të biznesit dhe persona të tjerë njohur publikisht,” shtoi burimi, duke theksuar se këto të dhëna janë pjesë e hetimit.
Prokuroria e konsideron telefonin e sekuestruar si çelësin e hetimit, por Martinaj dhe avokati i tij pretendojnë se ai nuk i përket fare të pandehurit. Avokati Martini i tha BIRN se mesnatën e 4 tetorit dhe mëngjesin e 5 tetorit, Martinaj ka nënshkruar disa procesverbale për marrje gjurmësh gishtash, rrobash apo kampionë të ADN-së, por jo procesverbalin për sekuestrimin e telefonit.
Avokati pretendoi gjithashtu se telefoni i Martinajt kishte Imei të ndryshëm nga telefoni IPhone X, që iu nënshtrua ekspertizës në Izrael.
“Shtetasi Ervis Martinaj ka dhënë shpjegime me daten 06.10.2018… ku ka pohuar se ai ka patur në ditën e ngjarjes një telefon IPHONE X, ngjyrë të errët, i cili është i siguruar me TUCH ID, pra me gisht, duke shprehur gatishmërinë e tij që ta hapë atë në çdo kohë për efekt të hetimeve,” tha avokati Martini.
“Kjo do të ndihmonte edhe në identifikimin e telefonit që ai dispononte, pasi rezulton e qartë që kjo është mënyrë më e pagabueshme për identifikimin e telefonit të Ervis Martinajt,” shtoi Martini.
Pretendimi i mbrojtjes u pranua nga gjyqtari i shkallës së parë, Artan Gjermeni, i cili caktoi burg me afat 30 ditë për Martinajn, me argumentin se nuk ishte faktuar që celulari i ekspertuar në Izrael i përkiste atij. Ky vendim u cilësua “absurd” nga Prokuroria dhe më 19 nëntor 2018, Gjykata e Apelit të Tiranës ashpërsoi masën e sigurisë ndaj Ervis Martinajt.
Vendimi i Apelit për Martinajn u duartrokit nga Ambasada Amerikane në Tiranë, përmes një mesazhi të postuar në Facebook me hashtag “Kush e ka radhën”. Në mesazhin për sundimin e ligjit, përmendej përveç Martinajt edhe Emiljano Shullazi dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Dje, Gjykata e Apelit të Tiranës dëgjoi argumentet e prokurorëve lidhur me masën e sigurisë për Ervis Martinaj. Ne presim hetimin e plotë të tij, ashtu siç presim që sundimi i ligjit të zbatohet gjatë hetimit në vazhdim për Saimir Tahirin. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj së ardhmes së Shqipërisë,” thuhej në mesazhin e Ambasadës.
Kompani me humbje, miliona transaksione
Kompania e basteve sportive bet111 e lidhur me familjarët e të dyshuarit Ervis Martinaj | Foto : BIRN
Industria e lojërave të fatit në Shqipëri siguroi përgjatë dekadës së fundit fitime të deklaruara prej rreth 150 milionë dollarësh në vit. Tregu ilegal i kësaj industrie llogaritet të jetë disafish më i lartë. Pas premtimeve të përsëritura, qeveria shqiptare vendosi të ndalojë në mënyrë drastike kumarin në 1 janar 2019. Para miratimit të ligjit nga parlamenti, kryeministri Edi Rama deklaroi se industria e bixhozit kontrollohej nga krimi i organizuar.
Hetimi mbi përfshirjen e Martinajt në tregun ilegal të lojërave të fatit nuk është kufizuar vetëm me procedimin e regjistruar më 10 tetor 2018, mbi bazën e kallëzimit të dorëzuar nga Drejtoria Kriminale e Tiranës. Më 19 tetor, Prokuroria e Tiranës regjistroi një procedim tjetër mbi një pikë të lojërave të fatit në afërsi të Liqenit të Thatë në Tiranë, që operonte me NIPT dytësor të kompanisë së basteve sportive I.T.S.G.A, nën logon MAXLLOTO.
Kompania I.T.S.G.A zotërohet në 35 për qind të aksioneve nga vëllezërit Gramos dhe Besnik Murataj, të dënuar në Itali për përfshirje në krim të organizuar.
Në brendësi të lokalit u gjetën serverë të lojës KENO dhe bileta të printuara të lojës Top Game Keno- logo kjo e pamiratuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, AMLF. I zoti i lokalit me inicialet Y.S i tha hetuesve se sapo xhiroja arrinte në 50 mijë lekë, shkonte dhe i dorëzonte në disa zyra pas qendrës së biznesit ETC te një person me emrin Beni.
Prokuroria thotë në kërkesën për masë sigurie se këto zyra u bastisën pas përplasjes së armatosur në lokalin “Monopol”, duke ngritur dyshime se pas kësaj skeme qëndronte Ervis Martinaj.
Episodi i mësipërm është vetëm “maja e ajsbergut” e përfshirjes së Martinajt në tregun ilegal të lojërave të fatit. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se 36-vjeçari i lindur në Burrel themeloi tre kompani të lojërave të fatit mes viteve 2011-2013, por asnjëra prej tyre nuk u pajis me licensë nga AMLF.
Martinaj regjistroi gjithashtu një kompani telekomunikacioni me ortak siçilianin Prospero Abelice, por pas arrestimit të këtij të fundit me akuzën e mashtrimit, sipërmarrja rezultoi jetëshkurtër.
Historiku në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregon se Martinaj debutoi fillimisht në biznes me një pikë servisi kompjuterash në vitin 2006, për t’i shtrirë më pas ambiciet në tregun e bixhozit.
Në tetor 2011 ai themeloi kompaninë “King Casino” me kapital të shlyer prej 2.5 milionë lekësh dhe në prill të vitit 2012 e zgjeroi rrjetin edhe me kompaninë e basteve sportive “Albania Baste Live”. Në vitin 2013, një kompani e tretë lojërash fati u regjistrua në QKB në emër të nënës së 36-vjeçarit, nën emrin tregtar “Eurovis”. Në total, Prokuroria e Tiranës po heton nëntë kompani të Martinajt dhe rrethit të ngushtë familjar.
Një analizë financiare e kryer nga Prokuroria tregon se asnjë prej kompanive me objekt lojërat e fatit nuk ka siguruar fitime dhe se aktiviteti i tyre është pezulluar në vitet 2015-2016. Megjithatë, dokumentet gjyqësore të siguruara nga BIRN tregojnë se ai i përdori kompanitë si koracë për një biznes paralel ilegal me lojërat e fatit dhe në një rast, edhe për transferta shumash të konsiderueshme parash.
Më 11 korrik 2013, Prokuroria e Tiranës regjistroi një procedim penal për “organizim të llotarive të palejuara” për Ervis Martinajn, pas kallëzimit të një qytetari që ankohej se i ishte ulur koeficienti pas ndeshjes Tajikistan-Kargustan U17. Dëshmitë në gjyq treguan se pika e denoncuar e basteve kontrollohej nga Ervis Martinaj përmes kompanisë pa licensë “Albania Baste Live”.
“Një djalë me emrin Eno ishte financieri i Ervisit bënte bilancin e biletave të vëna nga klientët. Ai merrte shumën që i takonte dhe më linte mua pjesën time. Marrja e parave bëhej pa dokumente,” dëshmoi në atë kohë punonjësi i pikës së basteve sportive.
Më 28 tetor 2014, gjyqtari Artan Gjermeni e dënoi me 200 mijë lekë gjobë Martinajn për organizim të lotarive të palejuara. Ky nuk ishte rasti i vetëm i përballjes së tij me drejtësinë.
Në tetor 2013, kur sapo kishte nisur operacioni “Fundi i Marrëzisë”, Martinaj u procedua sërish për organizim të lojërave të fatit, këtë herë i përfshirë në një kazino në Vorë.
Më 22 tetor 2014, ai u dënua me 3 muaj burg për veprën penale. Ndërsa një dënim i tretë me tre muaj burg për të njëjtën vepër penale u amnistua nga Gjykata e Apelit të Tiranës në dhjetor 2015.
Paralelisht për përfshirjen ilegale në tregun e lojërave të fatit, Martinaj akuzohet nga Prokuroria e Tiranës për pastrim të produkteve penale dhe evazion fiskal. Sipas Prokurorisë, vetë Martinaj ka siguruar 2.3 milionë lekë nga viti 2012 e në vazhdim si pagesë punësimi në disa kompani, ndërkohë që origjina e parave të përdorura për blerje pasurish apo transaksione bankare është e panjohur.
Ndonëse pa aktivitet dhe bilanc, Martinaj deklaron se siguroi 10 milionë lekë në 11 prill 2014 nga shitja e aksioneve të “Albania Baste Live”. Vlera është paguar në CASH dhe blerësi ka deklaruar se të ardhurat vinin nga biznesi i tij dhe të ardhurat e akumuluara gjatë viteve. Por nga informacionet e marra në sistemin tatimor, hetuesit kanë konstatuar se blerësi, i cili tashmë ka ndërruar jetë, nuk ka kryer kurrë asnjë aktivitet tregtar dhe ishte regjistruar vetëm si punonjës i shoqërisë “Albania Baste Live” për 5 muaj.
Prokuroria e Tiranës ka siguruar gjithashtu 12 kontrata noteriale të kryera në vitet 2009-2013 për blerje automjeti apo pasurish të paluajtshme, të cilat kapin në total vlerën e 85 mijë eurove, 50 prej të cilave të siguruara nga kredi financiare si dhe 25.1 milionë lekëve.
Mënyra e shlyerjes, sipas Prokurorisë ka qenë gjithmonë CASH dhe burimi i të ardhurave i papërcaktuar, por që hetuesit mendojnë se nuk justifikohet nga burimet e ligjshme të Martinajt. Shit-blerjet me përfitues Martinajn janë kryer me persona me precedentë të ndryshëm penalë; që nga grabitjet e deri te trafiku i qënieve njerëzore.
Hetimi pasuror ka zbuluar gjithashtu transaksione të shumta bankare në emër të kompanive “King Casino” dhe “Mati Union” në tre banka të ndryshme. Në total, transaksionet kapin vlerën e rreth 190 milionë lekëve [1.5 milionë euro].
Sipas prokurorëve të çështjes, pjesa më e madhe e parave ka kaluar në sistemin bankar në emër të kompanisë së të atit “Mati Union. Prokuroria evidenton se njëra prej llogarive bankare të Martinajt është kredituar nga persona të ndryshëm me përshkrimin “të ardhura nga llotot”.
“Në përfundim nga të dhënat bankare rezulton se ky shtetas ka transaksione bankare në vlera të konsiderueshme, të cilat nuk kanë asnjë justifikim për burimin. Një pjesë e këtyre të ardhurave është tërhequr në CASH nga ana e këtij shtetasi dhe nuk dihet qëllimi për të cilat janë përdorur,” pretendon Prokuroria.
Njësoj si për akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë”, avokati i Martinajt mohon edhe akuzat për pastrim parash apo përfshirje të palejuar në lojërat e fatit.
Avokati Mirash Martini pretendoi se paratë e qarkulluara në bankë janë kryer për llogari të biznesit të të atit me këmbimin valutor.
“Është e qartë që shumat që qarkullojnë nuk janë as të shoqërisë, as të babait dhe aq më pak të Ervis Martinajt që ka vepruar për llogari të kësaj shoqërie të babait përpara vitit 2013,” tha avokati, duke pretenduar se diferencat në depozitim dhe tërheqje lidhet me kursin e këmbimit.
Ndërsa për akuzën e “organizimit të llotarive të palejuara”, avokati thotë se Prokuroria nuk e përmend emrin e Martinajt, dhe jo më të ketë prova kundër tij.
“Është një person që ushtron aktivitetin e lojërave të fatit në një pikë me NIPT sekondar të një shoqërie të licensuar, që nuk ka lidhje me Martinajn, të cilit i është gjetur një biletë e pamiratuar nga AMLF, që ka pohuar se ka lidhje me personin me emrin BENI,”përfundoi avokati Mirashi.