Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka njoftuar sot (7 Shkurt) se Guajana, kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka vendosur që seanca e së enjtes për Kosovën të jetë e hapur.
Daçiç ka thënë për televizionin serb RTS, se pas bisedës që ka pasur me ministrin e jashtëm të Guajanës, ky vend, ka udhëzuar kreun e misionit në OKB të caktojë një seancë në format të hapur, pa votim.
“Ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht, por sipas informacioneve që kemi, Guajana ka vendosur që seanca të jetë e hapur, ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht në faqen e Këshillit të Sigurimit, por kemi marrë informacion nga ministri i jashtëm i Guajanës se anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë pranuar vendimin e Guajanës për të caktuar një seancë të hapur.
Është shumë me rëndësi që presidenti ynë, Aleksandër Vuçiç, të flasë në një seancë të hapur dhe fjalimi i tij të jetë i dukshëm, që të gjitha “arsyet dhe argumentet” përse kërkuam seancë urgjente të dëgjohen nga të gjithë. Që të mos mendojnë se kjo është një përpjekje për të komplikuar situatën, përkundrazi ne do të ankohemi për shkeljen e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për “gjithçka që po ndodh me popullin serb”, për “terrorin ndaj të cilit janë ekspozuar”, për përpjekjen për të ndaluar dinarin”, tha Daçiç.
Ai ka pretenduar se në dy ditët e fundit ka pasur lojëra intensive prapaskenash dhe presione brenda Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kryesuesja e këtij organi, që është Guajana, të caktojë një seancë të mbyllur.
“Vendet perëndimore dhe vendet e BE-së kërkuan që seanca të jetë e mbyllur për arsye që “i dinë vetëm ata”. Për ne kjo ishte një luftë shumë e vështirë që e fituam”, tha Daçiç