Në Shqipëri vijon të rritet numri i turistëve të huaj, ndërsa mbi 300 chartera pritet të zbresin në aeroportin e Rinasit për të sjellë turistë nga e gjithë bota. Kështu deklaroi në studion e ERTV, Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, i cili foli për risitë e këtij sezoni. Sipas Ministrit ardhja e më shumë turistëve do të thotë më shumë të ardhura në ekonominë e vendit dhe se prioritet është një model turizmi që gjeneron të ardhura.
“Ka patur një rritje të numrit të turistëve. Nga vjet në sivjet ne presim një rritje të numrit të turistëve me 16%, e cila mua më rrit përgjegjësitë si Ministër. Numri i lartë i turistëve do të thotë shumë më shumë para. Hapja e sezonit si asnjëherë tjetër që në muajin Maj dhe plotësimi i shtretërve që në Maj, që s’ka ndodhur kurrë në Shqipëri dëshmon që ky vit do jetë i suksesshëm.
Dhomat në çdo hotel janë krejtësisht të prenotuara. Ka 300 chartera që janë prenotuar për të zbritur këtë vit në Shqipëri. Ndoshta do të jenë shumë më shumë se kaq. Që do të thotë një numër shumë më i madh turistësh, për të cilët nuk duhet të bëjmë gabimin që kanë bërë vende si përshembull Bullgaria, ku u pa si vendi i një turizmi të lirë në Europë dhe turistët shkuan atje por kur gjetën shërbime të gabuara, u larguan dhe tanimë Bullgaria e ka të vështirë t’i rikthehet atij lloj turizmi”.
Ministri Blendi Klosi, ka zbuluar destinacionet potenciale të këtij sezoni që do të tërheqin me qindra e mijëra turistë dhe ku ekziston mundësia për ngritjen e resorteve turistike.
Sipas Klosit, veriu i Shqipoërisë ka mundësi ideale për zhvillimin e resorteve turistike, plazhi i Adriatikut, Velipojë, Shëngjin, që janë të paprekura e që me hapësirat e tyre ofrohen si destinacione të zhvillimit të rezorteve me kapacitete të mëdha.
“E kemi ndarë mundësinë e zhvillimit të turizmit në 4 pole.
Së pari, Adriatiku nga Karaburuni në grykëderdhjen e Bunës ku mund të zhvillohet turizmi familjar. Zonë unikale me kaq shumë plazhe me rërë që mund të transformohen në rezorte familjare. Poli i dytë është Jugu, ku politika jonë e turizmit në Rivierë duhet të kombinohet me politikat tona të agroturizmit. Në pellgun Berat, Gjirokastër, Përmet, Sarandë, Vlorë, mund të zhvillohen edhe aktivitete agropërpunuese. Poli i tretë unik që duhet të reklamohet janë alpet. Poli i katërt, Tirana si kryeqytet”, tha Klosi.
Ministri shtoi se risi e sezonit është krijimi i një rrjeti festash lokale ku jo vetëm festohet por edhe tregtohen produktet lokale. Bashkë me Ministrinë e Bujqësisë është ngritur edhe një festival kulinarie nga veriu në jug.