nstitucionet financiare jobanka janë kthyer në një problem për shoqërinë shqiptare. Dhoma e Përmbaruesve Privatë ka denoncuar javët e fundit se si këto kompani po rrjepin shqiptarët përmes kredive dhe përmbaruesve të caktuar.
Pak ditë më parë u publikua rasti i një qytetari që nuk kishte paguar 500 lekë te një kompani e tillë, por ajo e dërgoi atë në gjyq dhe i mori 150 mijë lekë.
Si ky rast ka pafund dhe shumë individë rrezikojnë dhe prona apo biznese. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në vendin tonë ekzistojnë 30 kompani jobanka që japin kredi. Edhe pse u miratua një rregullore që kufizon interesat e larta, deri më tani masat e Bankës së Shqipërisë dhe autorëve të tjerë kanë qenë shumë të ulëta. Në Kosovë dhe disa shtete janë mbyllur shumë kompani të tilla, por te ne vetëm shtohen.
Ndërkohë nëse shohim të dhënat e BSH, nga një monitorim që u është bërë këtyre institucioneve janë gjetur shumë problematika. Sipas BSH, ka: mospërputhje të kuadrit të brendshëm rregullator me kërkesat ligjore/ rregullatore; mungesë të proceseve në funksion të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit; mungesë dokumentacioni mbështetës mbi burimin e fondeve, për disa raste transaksionesh në para fizike; informacion i paplotë ligjor i ruajtur në dosje për klientin.
Mangësi përditësimi i informacionit ligjor. Mospërditësim të dokumenteve të identifikimit të klientit; mungesë dokumentacioni ligjor dhe financiar për disa kompani të zinxhirit aksioner; mungesë ushtrimi i “Vigjilencës së duhur” dhe “Vigjilencës së zgjeruar” për klientin lidhur me verifikimin e burimit të fondeve; mungesë evidence për raste dyshimi për ngjashmëri emrash me listat e shpallura dhe listën e sanksioneve të KSKB apo evidenca qe ka kryer verifikime me listat; moskryerje e një filtrimi automatik të klientëve ekzistues sa herë që listat e shpallura azhurnohen në sistem; mangësi në programet e trajnimit të tematikave specifike për masat kundër financimit të terrorizmit dhe zbatimit të sanksioneve ndërkombëtare të KSKB-së.
Tavani për interesat
Në raport BSH ka sqaruar dhe nismën që ka ndërmarrë për të kufizuar interesa të larta të këtyre institucioneve. Sipas BSH, aktualisht janë përgatitur disa ndryshime në rregulloren 48/2015 “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare” që parashikon vendosjen e një niveli tavan për normën efektive të interesit (më tej, NEI maksimal) të aplikuar në kreditë e reja konsumatore.
Më specifikisht, ndryshimet rregullative do të konsistojnë në: Vendosjen e një niveli maksimal të normës efektive të interesit që do të aplikohet në marrëveshjet e reja të kredisë konsumatore. NEI maksimal do të përllogaritet nga Banka e Shqipërisë çdo gjashtëmujor, si mesatare e NEI-ve të aplikuara nga sektori bankar dhe subjektet financiare jobanka, rritur me një të tretën e kësaj vlere, sipas matricës që parashikon 4 kategori të kredisë konsumatore të ndarë secila në 3 intervale të shumave të disbursuara. NEI maksimal llogaritet bazuar tek NEI të aplikuara në treg
gjatë gjashtëmujorit të kaluar, ai shërben si referencë në momentin e përcaktimit të normës së interesit të kontratave që do të lidhen/nënshkruhen në gjashtëmujorin vijues në mënyrë që kredidhënësit në asnjë rast të mos tejkalojnë vlerat e NEI maksimale të publikuara nga Banka e Shqipërisë.