Me mijëra shqiptarë kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve rrugore në 5 vitet e fundit. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë viteve 2016 – 2020 u shënuan 1112 viktima nëpër rrugët e vendit, ndërsa numri i të plagosurve përllogaritet në mbi 10 000 persona.
Kreu i policisë rrugore të Tiranës thotë se shkaqet kryesore të aksidenteve mbeten alkooli, parakalimet e gabuara dhe përdorimi i celularit.
“Qëllimi është sensibilizimi i qytetarëve dhe përdoruesve të rrugës që të jenë të kujdesshëm mos të kalojnë normat e shpejtësisë, mos të bëjnë parakalime të gabuara, të respektojmë këmbësorët jo vetëm në vijat e bardhe por edhe kudo ku hasin në rrugë, të vënë rripin e sigurimit dhe mos të përdorin celularin”.
Sipas ekspertëve të sigurisë rrugore rrugët me problematike ne vend mbeten ato interurbane kryesore dhe interurbane dytësore për shkak të numrit të lartë të përdoruesve të rrugës, dhe sinjalistikës së munguar. Në ditën ndërkombëtare të viktimave të aksidenteve u zhvilluan aktivitete sensibilizuese në Tiranë dhe rrethe.