Humbja e Kombëtares 2-0 në Londër kundër Anglisë nuk ishte vetëm “zi” për Shqipërinë. Në mitikun “Wembley” për herë të parë minuta mori edhe Adrion Pajaziti, i cili debutoi me Shqipërinë dhe mbrëmjen e 21 marsit do ta ketë të skalitur në kujtesë për gjithë jetën.
Ishte minuta e 78-të kur Sylvinho i besoi Adrionit një vend në fushë, duke zëvendësuar Qazim Laçin. Që në prekjet e para, djaloshi që ka lindur në Londër u duk me siguri dhe vetëbesim, duke treguar se jo më kot pritshmëritë për të janë të mëdha.
Pajaziti vjen nga moshat, teksa ka qenë kapiteni i Shqipërisë U-21 dhe ka shënuar tetë gola në 13 ndeshje. Mesfushori me tipare të avancuara ka qenë pjesë edhe e Kosovës së moshave, por në fund zgjodhi ekipin kuqezi.
Pjesë e Fulham prej verës së 2019, 22-vjeçari këtë sezon luan në huazim me HNK Gorica në Kroaci. 15 ndeshje numëron këtë sezon Pajaziti me klubin e tij, për 965 minuta.
Ekspertët e futbollit vendas e shohin Pajazitin me shumë besim për të ardhmen e Kombëtares dhe debutimi i tij me Shqipërinë në një ndeshje si ajo kundër Anglisë në mitikun “Wembley” është një “sms” jo vetëm për futbollistin.