Mazhoranca duket e vendosur për t’i shkuar deri në fund shkarkimit të Presidentit Ilir Meta nga detyra. Komisioni hetimor që po heton shkeljet e kryera nga kreu i shtetit zgjati me dy muaj afatet e komisionit për shkak se konkluzionet përfundimtare të Komisionit të Venecias do të dalin më 12 tetor dhe menjëherë pasi të administrojë raportin final do të nisë shqyrtimi i provave në mënyrë që më pas të hartohet raporti, i cili do t’i dërgohet Kuvendit.
Por duke qenë se raporti përfundimtar i Venecias nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim nga ai paraprak, mazhoranca e ka krijuar bindjen se Meta ka tejkaluar kompetencat me anulimin e zgjedhjeve dhe duhet shkarkuar. Gazeta kontaktoi dje me disa nga deputetët e Partisë Socialiste, të cilët në unison u shprehënse janë të gatshëm për t’i shkuar deri në fund shkarkimit të Metës. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, anëtarja e Komisionit të Ekonomisë, Evis Kushi deklaroi se mazhoranca ndodhet përpara faktit që Presidenti Meta shkeli Kushtetutën, kështu që sipas saj, do të vijohet me procedurat për shkarkimin e tij nga detyra. Në këtë kontekst, zonja Kushi theksoi se pasi kreu i shtetit të shkarkohet nga Kuvendi, do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të japë verdiktin final, për të cilën shtoi se shpreson që të jetë funksionale brenda këtij viti. “Nga ana procedurale ne do të ndjekim me përpikëri të gjitha hapat që janë të parashikuara në Kushtetutë. Është komisioni hetimor i cili do të shqyrtojë përgjigjen e Komisionit të Venecias dhe më pas do t’i paraqesë Kuvendit një raport të plotë për këtë çështje. Në dijeninë time janë të gjithë argumentet e mjaftueshëm që vërtetojnë se Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën, duke i pamundësuar qytetarëve të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje. Bazuar në këtë raport të Komisionit Hetimor, Kuvendi i Shqipërisë do të votojë për shkarkimin dhe më pas është Gjykata Kushtetuese, e cila thotë fjalën e fundit. Deri atëherë ne besojmë që Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale, kështu që do të kemi me siguri një përgjigje përfundimtare brenda këtij viti”, deklaroi deputetja socialiste, Evis Kushi.
Socialistët: Meta shkeli Kushtetutën, do shkarkohet
Në të njëjtën linjë me deputeten Kushi, dje u rreshtua edhe anëtarja tjetër e Komisionit të Ekonomisë, Antoneta Dhima. Kjo e fundit gjatë një prononcimi të shkurtër për gazetën “SOT” akuzoi Presidentin Meta se shkeli Kushtetutën me anulimin e 30 qershorit, ndërsa theksoi se mazhoranca është e vendosur për ta shkarkuar atë nga detyra. “Presidenti Ilir Meta shkeli Kushtetutën. Kështu që, ne si mazhorancë do t’i shkojmë deri në fund shkarkimit të tij nga detyra. Pastaj do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të vendosë”, deklaroi deputetja socialiste, Antoneta Dhima. Ndërkohë, gazeta kontaktoi një nga anëtarët socialistëtë komisionit hetimor, i cili theksoi se janë duke pritur raportin përfundimtar dhe më pas do të mblidhet komisioni që të vendosëpër fatin e Ilir Metës, i cili sipas tij, është vetëm një, shkarkimi nga detyra.
Opozita në mbështetje të PS
Por gazeta ka mësuar se edhe pse po bëhet një luftë e fortë në prapaskenë për të mos u pamundësuar votat për shkarkimin e Presidenti Ilir Meta nga detyra, mbi 20 deputetët të opozitës kanë dhënë garancinë se do ta mbështesin mazhorancën dhe nismën e saj për të shkarkuar kreun e shtetit nga detyra. Ndërkohë, gazeta kontaktoi me anëtarin e opozitës në komisionin hetimor, Arlind Çarçani, i cili deklaroi se opozita do të ketë si udhërrëfyes raportin e Komisionit të Venecias, duke lënë të nënkuptohet se nëse Venecia thotë që Meta ka shkelur Kushtetutën edhe ata do të votojnë pro shkarkimit të tij. “Ne si opozitë në komisionin hetimor mund të dalim me një raport ndryshe nga mazhoranca dhe do të kemi gjykimin tonë mbi këtë çështje. Padyshim që këshilla e raportit final të Komisionit të Venecias do të jetë një udhërrëfyes për ne. Opozita parlamentare është në lartësinë e duhur për të dhënë një verdikt sa me të drejtë për këtë çështje”, deklaroi deputeti Çarçani.
Rigels Seliman