Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë prerë shpresat Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Deklarata bombë ka ardhur nga i dërguari i Trump në Ballkan, Matthew Palmer. I dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin, Matthew Palmer, i pranishëm dje në Kosovë në një bashkëbisedim më studentët dhe shoqërinë civile, i ka shuar shpresat opozitës jashtëparlamentare.
Teksa foli gjatë për arritjet që ka bërë Shqipëria në fushën e drejtësisë edhe në rrugën drejt integrimit europian, Palmer pati një mesazh të qartë për opozitën. I dërguari i SHBA kërkoi nga PD e LSI që të harrojë zgjedhjet e parakohshme dhe të ulen menjëherë me mazhorancën në tryezë për reformën zgjedhore. “Dy fjalë edhe për opozitën e Shqipërisë që është jashtë Kuvendit. Ju mund të luani rolin tuaj. Shfrytëzojeni sepse bojkoti nuk ju solli fuqi më të madhe politike. Nuk detyroi dhe nuk mund të detyrojë zgjedhje të parakohshme. Prandaj shfrytëzojeni mundësinë për ta evokuar dhe negociuar në mirëbesim për reformën zgjedhore që synoni.
Bashkësia ndërkombëtare është e gatshme t’ju ndihmojë në këtë ndërmarrje serioze. Pastaj t’ia prezantoni popullit tuaj të gjithë këto arritje të vërteta për të vendosur në mënyrë demokratike, përmes një procesi të drejtë zgjedhor se në çfarë drejtimi duan të shkojë Shqipëria”, tha Palmer teksa ju drejtua opozitës.
Përparimi i reformës në drejtësi
I dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin, Matthew Palmer vendosi theksin edhe tek reforma në drejtësi. Ai nënvizoi arritjet që ka bërë Shqipëria në këtë fushë, teksa tha se duhet tëvijojë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Edhe Shqipëria, aleatja jonë në NATO, duhet të qëndrojë në kursin e duhur, sepse integrimi në BE është çështje e pandërprerë e vullnetit politik. Shikoni se çfarë ka arritur Tirana deri tani.
Ajo ka bërë reforma gjyqësore të pa dëgjuara më parë për të çrrënjosur korrupsionin endemik të sistemit të vjetër. Shqipëria ka ndërmarrë reforma të thella të domosdoshme për vetingun e të gjithë 800 zyrtarëve dhe prokurorëve, duke kontrolluar pasurinë e tyre të pashpjegueshme, lidhjet e tyre me krimin e organizuar. Fakti që më pak se 50% e mbi 160 gjykatësve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar vetingut kanë arritur ta kalojnë atë është tregues se sa i korruptuar dhe i lidhur me krimin e organizuar ka qenë sistemi i deritanishëm”, deklaroi Palmer. Ai përmendi edhe ngritjen e SPAK dhe BKH, teksa theksoi rëndësinë e tyre, Palmer tha se populli shqiptar kërkon drejtësi dhe institucione politike gjyqësore që funksionojnë në mënyrë demokratike. “Krijimi i dy organeve të reja të gjyqësorit, SPAK dhe BKH për emërimin, qeverisjen dhe disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, tregon që Shqipëria ka bërë punë të mundimshme.
Ajo është në prag të themelimit të një trupe të pavarur, zyrës së prokurorisë dhe gjykatës së posaçme kundër korrupsionit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, me të cilat do ta ketë për detyrë të hetojë rastet e korrupsionit, krimit të organizuar. Fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri ka ardhur siç është dëshmuar me fillimin e shkatërrimit e faktorëve të paprekshëm, siç është rasti i Klemend Balilit”, deklaroi Palmer. /SOT/Arbjona ÇIBUKU