Në fjalorin e tij politik nuk ka asnjë fjalë raciste, por në programin elektoral të partisë së tij parashikohej pezullimi total i të drejtës për të kërkuar azil në Suedi dhe shkurtim buxheti për të huajt që jetojnë atje. Në fushatën elektorale, lideri i partisë Demokratët Suedezë, Jimmie Akesson, propozoi daljen e vendit nga BE-ja. Idetë e tij gjetën mbështetje te 1 në 5 suedezë. Këtë treguan rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të të dielës, që e rendisin të dytën partinë e ekstremit të dhjathtë (me 18% të votave).
“Il Messagero” ka bërë një profil të 39-vjeçarit suedez, që synon t’u bashkohet figurave të njohura populiste në Europë si Metteo Salvini dhe Viktor Orban.
Thembra e Akilit për Akesson është pasioni për videopokerin. Sipas Radios Suedeze, në vitin 2014, ai ka humbur në lojën online plot 70 mijë dollar. Akesson e ka akuzuar radion se ka tentuar t’i prishë imazhin me lajme të tilla.
Para se t’i hynte politikës, Akesson ishte një dizajner rrjeti. I biri i një menaxheri dhe një asistenteje sociale, ai e nisi universitetin por nuk e mbaroi. Kundërshtimi me forcë i emigracionit ka qenë për vite me radhë kali i tij i betejës. Megjithatë, është gjithnjë i kujdesshëm që ky qëndrim i tij dhe partisë që drejton të mos hyjë në terrenin e racizmit. “Nuk jemi racistë, nuk jemi ksenofobë. Të gjithë ata që mbanin qëndrime ekstremiste janë larguar nga partia që në 2010-n”, thotë ai.
I rritur në një vend që mirëqenien e ka pasur gjithnjë pikën e fortë, Akesson ka një tjetër ide për shtetin social. Ai mendon se duhet një shtet ekskluziv, që e vë theksin te mbrojtja e qytetarëve skandinavë. Të tjerët jashtë. Duket se ky qëndrim ka gjetur mbështetje në vendin me 10 milionë banorë, që në vitin 2015 u hapi derën 160 mijë emigrantëve.
Rritja e partisë së tij shënon nisjen e një periudhe pasigurie në Suedi. Me një qeveri të dobët që pritet të formohet, mundësia e zgjedhjeve të reja dhe rreziku që nacionalistët e Akesson të ndryshojnë ekuilibrat mbeten reale në muajt e ardhshëm. Kjo nuk do të ishte hera e parë që Akesson rrezikon qeverinë. Në vitin 2014, kur kishte më pak vende në Parlament, partia e tij bllokoi një ligj të propozuar nga qeveria e kryeministrit Lofven dhe vendi rrezikoi të shkonte në zgjedhje të parakohshme. (TemA TV)