Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përgënjeshtruar lajmin se kanë nisur hetimet ndaj gazetares Klodiana Lala lidhur me shkrimin e publikuar nga Zëri i Amerikës.
Reagimi erdhi pas deklaratave të gazetares Klodiana Lala ku aludonte se ishte nën hetim dhe se nuk tregonte burimet.
Por sot Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka hedhur poshtë gjithçka.
“Informojmë opinionin publik se gazetarja Klodiana Lala nuk është person nën hetim në këtë proçedim penal dhe nuk është duke u hetuar nga ky organ proçedues.
Hetimet janë duke u kryer në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e personave të tjerë funksionarë të organeve të drejtësisë, të cilët kanë hartuar aktet e përgjimeve, kanë administruar këto akte dhe kanë patur akses në to, por dhe kushdo tjetër që në bazë të ligjit është njohur me aktet e sipërcituara dhe ka patur detyrimin ligjorë për ruajtjen e sekretit hetimor si dhe marrjen e masave të nevojshme për ndalimin e publikimit të akteve të proçedimit penal të mësipërm”, deklaron Prokuroria.
Ndërkohë, më herët Klodiana Lala tha:
“Unë s’kam për t’i nxjerr asnjëherë burimet sepse kjo do të cenonte integritetin tim si gazetare, por edhe të gjithë gazetarinë në Shqipëri.
A mund të ketë kurajo një prokuror të hetojë një gazetar kur këtu janë vjedhur prej vitesh me miliona.
Si mund të më pyes mua një prokuror për burimin, të cilin unë nuk kam për ta treguar edhe sikur të më presë burgu.
Përpara se të merren me mua, prokurorët duhet të ulin kokët dhe të merren me dosjet”, theksoi Lala.