Kryeministri Edi Rama krah drejtuesit të kompanisë globale, Emaar Group, Mohamed El Alabbara ka zgjedhur që ditën e fundit të vitit ta kalojë në Durrës, ku inspektoi edhe fazën e parë të punimeve për ndërtimin e Portit të Durrës, i cili pritet të fillojë në pranverë.
Mes të tjerash Rama u shpreh se ky do të jetë Porti më i bukur në Mesdhe, duke u shprehur se edhe “Monako do të na i ketë frikën”.
Edi Rama: Do të ketë vend edhe për jahtet e mëdha?
Mohamed El Alabbar: Po jahtet e mëdha do të kenë një vend ku të shkojnë, Durrësin. Sepse shumica e jahteve të mëdha kërkojnë shërbime, qarkullimin, vendndodhjen dhe Durrësi i ka të gjitha. Do të kemi disa klube të jahteve.
Rama: Atëherë Monako duhet të na i ketë frikën
Mohamed El Alabbar: Po pse duhet të jetë Monako më e mira, pse të mos jemi ne më të mirët,. Nuk duhet të jemi të ndrojtur. Duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë. Shpresojmë që ndërtimi të nisë fundi i marsit dhe fillimi i prillit.
Edi Rama: Në këtë fazë ne po punojmë me 3 konsulentë. Kemi një konsulent mjedisor amerikan, një tjetër belg dhe një grup nga Dubai. Ata propozojnë disa gjëra për përmirësimin e mjedisit, por interesante është që do të futemi thellë në det për të pastruar. Kjo është e bëshme për të krijuar diçka të klasit botëror. Mund të ndërtosh shumë gjëra në tokë, por kur uji s’është i një niveli të mirë, kush do të vijë?
El Alabbar: Është punë e madhe, do të shpenzohet para, por sot është gjithçka e bëshme.
Edi Rama: Do të punojmë me kryetarin e Bashkisë për projektin e madh të plazhit të Durrësit, plazheve popullore. Faleminderit që po na ndihmoni me idetë tuaj për këtë çështje. Kemi vendosur një sasi të madhe parash në dispozicion. Do të nisim me fazën e parë në 2022. Ndoshta rreth majit, qershorit, e më pas do të vazhdojmë më tej. Në atë moment çmimet do të rriten. Pronave do u rritet vlera. Hotelet do të fitojnë më shumë.
El Alabbar: Kjo do e shndërrojë Durrësin në diçka të mrekullueshme. Përvoja ime modeste në vende që kam investuar, vlera e pasurive të paluajtshme gjithmonë rritet dhe fiton publiku.
Edi Rama: Jam i sigurt që banorët e Durrësit dhe qytetarët e Shqipërisë do t’ju jeni mirënjohës. Ka qenë e pamundur për ne ta bëjmë të vetëm. Pastrimi i kësaj pjese të plazhit dhe transformimi i plazhit që ju keni projektuar është diçka historike për qytetin. Qyteti ka vuajtur nga ndotja dhe marrëzia sa askush nuk ka menduar këtë. Gjithçka u bë konkrete kur ju u shfaqët.