10 persona do të gjykohen si të pandehur për vrasjen e ish-mjekut dhe ish-militantit të Partisë Socialiste Pjerin Xhuvani 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare.
Prokuroria e Elbasanit përfundoi hetimet për ngjarjen e rëndë që tronditi opinionin publik shqiptar më shumë se 1 vit më parë dhe vërtetoi se ish-efekti i RENEA-s dhe pjesëtari i Strukturës së Mbrojtjes së Votës të Partisë Demokratike në Elbasan, Arbër Paplekaj ka ekzekutuar Xhuvanin në lagjen “5 maj” të qytetit si plagosi dhëndrin e të ndjerit, Elton Bodinakun bashkë me policen Xhensila Sotën.
Për këtë raste, Paplekaj do të gjykohet për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” në dëm të 1 ose më shumë personave kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë individëve” si dhe “Plagosjen e punonjëses së Policisë së Shtetit”. Gjithashtu, dy ish-zv/drejtorët e Policisë së Elbasanit Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, të cilët ishin pjesëmarrës në ngjarjen e rëndë, do të merren si të pandehur për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Për dy efektivët e lartë të rendit, Prokuroria e Elbasanit arriti në përfundim se ata mund të kishin shmangur konfliktin nëse do të kishin vepruar. Ndërkohë, 6 efektivët e njësisë policore “Shqiponja”, Dedjon Duraku, Pëllumb Bicaku, Erjon Balla, Besmir Kadiu, Donald Dedja dhe Erjon Meçja do të merren të pandehur për “Deklarim të rremë”. I pandehuri i dhjetë është shtetasi Eldjo Beko, i biri i një biznesmeni, pasi akuzohet për kryerjen e “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Bien akuzat ndaj “Kel Çamit”, nuk zbulohet kush plagosi dy anëtarët SMV të PD
Por, prokurorët e çështjes së vrasjes së Pjerin Xhuvanit kanë rrëzuar të gjitha akuzat për Klement Xhaferrin, i njohur ndryshe me nofkën “Kel Çami”. Ai bënte në grupin e shoqëruesve të Pjerin Xhuvanit që u konfliktuan me SMV të PD. Nisur nga pamjet filmike, Xhaferri nuk mban armë dhe largohet me vrap pasi fillojnë të shtënat. Por, edhe pse kanë kaluar afërsisht 1 vit e 3 muaj, prokurorët Ridvan Sukaj dhe Platin Aliçka së bashku me grupin hetimor nuk kanë mundur të zbulojnë se cili/ët janë autorët e plagosjes së dy pjesëtarëve të SMV të PD në Elbasan, Pavlo Vuksani dhe Emiljan Prengës.
Një tjetër mister është dhe gjetja e 2 armëve nga 3 që u përdorën në 21 prill 2021. Deri tani, është sekuestruar arma e Arbër Paplekajt tip “Glock”, por një pistoletë izraelite dhe një tjetër e papërcaktuar në lloj, nuk janë zbuluar edhe sot e kësaj dite. Megjithatë, grupi hetimor zbuloi se Paplekaj ka qëlluar 7 herë me pistoletën e tij, ndërsa nga pistoleta izraelite është shtirë 13 herë.
Pa përjashtuar dhe pretendimet e PD se në makinën e Mehmet Grecës, të arrestuar tashmë për trafik droge dhe atë kohë “patronazhist” i PS, kishte materiale zgjedhore (lista votuesish, karta ID, para, etj), prokurorët Sukaj dhe Aliçka nuk kanë dhënë ende një konkluzion.
Si agravoi ngjarja deri në vrasjen e Pjerin Xhuvanit?
Lidhur me ardhjen deri te vrasja e Pjerin Xhuvanit, Prokuroria e Elbasanit raportoi se Arjan Hoxhaj, përgjegjësi i SMV të PD në Elbasan po komunikonte me dy ish-zv/drejtorët e Policisë së Elbasanit Albert Nushin dhe Nikollaq Pallën se kishte ndaluar një automjet të dyshuar se mbante lista votuesish, para, karta identiteti dhe një bllok me shifrat e shpërblimeve për votuesit që pranon të shisnin votën.
Makina drejtohej nga Mehmet Greca. Në këtë moment, kanë mbërritur në vend 3 automjete të tjera ku ndodheshin personat: Pjerin Xhuvani, Elton Bodinaku, Gentian Sharra, Marjol Çela, Marsel Rroka dhe Luan Tabako. Bodinaku, dhëndrri i Xhuvanit shau dhe u konfliktua me Erjon Demushin, anëtarin e Strukturës së Mbrojtjes së Votës së PD. Shkak u bë se ky i fundit po filmonte ngjarjen. Në këtë moment mbërriti anëtari tjetër i SMV të PD në Elbasan, Arbër Paplekaj.
Konflikti ka agravuar në përleshje fizike mes palëve dhe Paplekaj ka nxjerrë pistoletën me leje duke goditur ndaj Xhuvanit, i cili ndërroi jetë. Më pas, janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe pala tjetër. Nga ky shkëmbim armësh u plagos rëndë Elton Bodinaku, oficerja e policisë Xhensila Sota, Emiljan Prenga dhe Pavlo Vuksani (dy të fundit, ish-anëtar të shtabit elektoral të PD). Paplekaj u vetëdorëzua në repartin RENEA një orë pas krimit.