Senatori italian, ish-kryeministri Matteo Renzi do të vizitojë të mërkurën kampin e Gjadrit në Lezhë. Vizita e tij vjen pas vendimit të gjykatës italiane, e cila i dha të drejtë qeverisë italiane, për marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët.
Për zbatimin e kësaj marrëveshje është angazhuar vetë kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni e cila është shprehur e vendosur për realizimin e këtij objektivi, që sipas saj është përshëndetur nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.
Më 6 nëntor të vitit 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.
Protokolli, në bazë të të cilit u ngritën në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt të vitit 2024.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.
Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.
Qendrat që janë ngritur në Qarkun e Lezhës menaxhohen nga autoritetet italiane.