E projektuar në mes të një pylli të vogël me reliev fushor, e rrethuar plot gjelbërim, dikur ka qenë vila e Kontit Çiano, ministër i Jashtëm i Italisë. Ishte ai që e projektoi dhe e ndërtoi në vitin 1939. Me idenë për një hotel gjuetie, ai është një kompleks që ndodhet vetëm 2 km larg qytetit, në zonën e njohur me emrin historik Ishulli i Lezhës, ndonëse ishull nuk është.
Me strukturën e dikurshme, është po ajo ndërtesë njëkatëshe, ajo sallë, dhomat me numrat mbi to, ai korridor i ngushtë, ai parket, gjithçka prej dërrase shumëvjeçare, karakteristikë e atij hoteli, si dhe natyra e jashtëzakonshme që e rrethon. Aty pranë banojnë bashkëshortët Marie e Martin Luca, që kanë qenë dëshmitarë okularë, për çfarë kanë parë e jetuar nga afër e që e ruajnë në memorien e tyre deri në detaje. Në disa raste preferojnë konfidencialitetin, ndonëse nuk hezitojnë të rrëfejnë si i kanë shërbyer Enver Hoxhës, si funksiononte hoteli, klientët e preferuar, nga Kadareja te Pagarusha, aktorë të famshëm dhe vizita surprizë e Shtrausit.
“Kemi shërbyer si sportelistë, banakierë, kamerierë, e kemi administruar hotelin bashkë me burrin, deri kur ai u shkri, pas ’97-s, gati 30 vjet pa lëvizur. Ka qenë periudha më e bukur e jetës sonë. Të lidhur, të gëzuar, këtu kemi rritur edhe fëmijët”, e nis rrëfimin për “Panorama”, Maria, një grua shumë e zgjuar dhe e mbajtur.
Marie, kur keni filluar punë?
Rreth vitit 1960, kur nuk ishim as 17-18 vjeç. Ishulli i Lezhës, ai i Shëngjinit, kanë qenë fshatra në gjendje më të mirë ekonomike. Kanë pasur mishin, peshkun, gjuetinë, bagëtinë, tokën e begatë. Thonë se shumë kohë më parë ka qenë një mini-ishull që lagej nga deti, lumenj të vegjël, prandaj e ka marrë këtë emër. Ndërsa hotel “Gjuetia” u ndërtua dhe ka shërbyer kryesisht për gjueti.
Ju kujtohet hoteli i atyre viteve?
Maria-ishulli-gjuetiseSigurisht. Një ndërtesë njëkatëshe, kishte 20 dhoma, dy prej tyre përdoreshin si dhoma pritjeje. Hoteli dhe restoranti kanë funksionuar edhe në ato vite, por me periudha të shkëputura, varej se kush vinte, qeveritarë apo nga drejtoria e pritjes.. Qëndronin një apo dy ditë. Nuk kishte kuzhinierë e personel të rregullt. Pas 1965-s filloi një organizim më i mirë.
Çfarë u trashëgua nga hoteli i Çianos?
Rruga për në hotel ishte bërë nga Konti Çiano. Pastaj dhoma me vatrën, bustin, çiften, sende të ndryshme të tij, për shumë kohë kanë qenë aty. Pastaj u rrëmbyen dhe kushedi ku kanë përfunduar. Po kështu abazhurët e bukur me shumë vlerë i mori Shtëpia Qendrore e Ushtrisë në Tiranë, sepse në atë periudhë e kishte ajo në administrim. Më vonë, hoteli u përfshi si rezidencë qeveritare, krahas Pallatit të Brigadave dhe asaj në Durrës
Këtu keni punuar të dy, burrë e grua?
Jemi fejuar kur ishim 14-vjeç dhe kemi qëndruar 4 vite të fejuar, as me fotografi nuk e kemi parë njëri-tjetrin. Unë në Velipojë, kurse Martini në Tepelenë, se kishte vëllanë oficer atje. Në vitin 1962, u martuam, filluam punë në hotel, lindëm dy fëmijët. Kemi shumë miq, ish-klientë, ndër ta Fatos Lubonjën që ka kaluar vite këtu në Lezhë. Jemi 75 vjeç, bashkë me kujtimet kemi”trashëguar” edhe një pikturë të vetme me pamje nga hoteli. Kemi kaluar një jetë e tërë këtu, ditë e natë. Më shumë qëndronim aty se në shtëpi. U shërbenim të gjithëve. Ishte hoteli i vetëm në ato vite, Lezha kishte apo jo një të vogël. Kur shkonin me shërbime në Shkodër apo ktheheshin në Tiranë, duke qenë se banonim aty afër, na thërrisnin shpesh pas mesnate, i prisnim, i bënin diçka për të ngrënë e për të fjetur.
Na tregoni pak për punën, cilët kanë qenë eprorët dhe kolegët tuaj në vite?
Nga H. Lami, B. Hoxha, A. Meksi, N. Reçi, V. Luca, J. Simoni, midis tyre edhe një grua, Sofjana Resuli. Di që Viktori është në Amerikë, kurse për të tjerët nuk kam informacion, jetojnë apo jo. Ndërsa nga personeli që ka shërbyer midis tyre kujtoj A. Pjetrushi, Ç. Meksi, A. Lika, P. Toni, Sh. Arifi, K. Hoxha, A. Vrahja, M.Alcani, kanë qenë shumë. Lokali ka pasur një kuzhinier, Hysen Selmani, që ka shërbyer mbi 20 vjet. Ka qenë i jashtëzakonshëm, shumë i pastër, i sjellshëm, i rrallë në Shqipëri.
Si funksiononte hoteli?
Hoteli kishte 20 dhoma dhe salla e madhe që ndërtoi Enver Hoxha. Ajo kryesore ka qenë e vjetra, e bërë nga italianët. Ishin apartamentet 1, 2,3,4, ndër të cilat 1 dhe 2, ruheshin vetëm për anëtarët e Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror dhe nuk ziheshin asnjëherë e në to nuk futej askush, madje çelësat e tyre i mbaja unë. Ato kishin krevate dopio dhe teke me çarçafë të bardhë. Pastaj vinte apartamenti 3 dhe 4 me katër dhoma të ndryshme
A vinte edhe Hoxha?
Siç kemi dëgjuar, ajo ndërtesë është frekuentuar si gjatë luftës, kryesisht nga italianët, por më shumë në periudhën komuniste si një zonë e vend i preferuar edhe për Enver Hoxhën. Deri nga vitet ’70 vinte normalisht, pastaj me raste, pasi ai kishte edhe Durrësin, Vlorën e Pogradecin.
Flitet që aty shkruante librat, është e vërtetë Marie, a e keni hasur?
Nuk mund të them me saktësi librat apo diçka tjetër, por raporte të kongreseve i ka bërë këtu. Më kujtohet kur një ditë u zgjua në mëngjes dhe kur po i çoja kafenë turke, m’u drejtua: “Marie kam bërë një gjumë të mirë”. Ulej te dhoma e pritjes dhe shkruante
Kishte ndonjë merak me ushqimin?
Më ka ndodhur kur ra tërmeti më 1979, ai po shkonte për Shkodër me të tjerë anëtarë byroje, na njoftuan se do ndalonte te ne. I përgatitëm drekën, kur në një çast më vjen mjeku dhe shoqëruesi, Sulo Gradeci, e më thonë: “Marie, kur ta mbarojë pjesën e sipërme të peshkut, ke me shku me ia heq pjatancën dhe mos e lejo me e kthy në anën tjetër. As pije mos i jep, por vetëm ujë se është me dietë. Unë i qëndroja pas shpine duke u dridhur. Më falni, a mund ta marr, i thashë dhe zgjata dorën duke ia tërhequr pjatancën. Ai më pa, nuk tha asgjë dhe iu drejtua të tjerëve: “Mos thoni se Enver Hoxha bën çfarë të dojë vetë. A e shihni këtë nusen? Unë me qejf do e haja këtë levrek të freskët, por ajo ma hoqi”.
Qëllonte që të vinin bashkë Enver Hoxha me Mehmet Shehun?
Në raste të veçanta. S’e harroj kur patën ardhur gjatë kohës që kishte rënë tërmeti. Vjen më parë shoqëruesi e më thotë: Marie, sistemoje mirë Mehmetin, vendose te kjo dhomë se ai nuk flen me kërkend, nuk do njeri tjetër, ndërsa ky nuk bën za. E kishte fjalën për Enverin. Vite më vonë, aty vinte edhe Ramiz Alia, kur organizonte takime me punonjës të dalluar të qytetit të Lezhës, ose zonës përreth.
Sa kushtonte një natë?
Një natë qëndrimi në një dhomë hoteli kushtonte 30 lekë. Sigurisht që qeveritarët nuk paguanin. Duke qenë dega e Hotel Dajtit, marrëdhëniet financiare, ato administrative, përfshirë shpenzimet, furnizimet, i kryenim nëpërmjet saj dhe Drejtorisë së Pritjes. Veçanërisht për hyrjet e daljet e zyrtarëve të lartë.
Po artistët, ishin klientë të ishullit?
Hoteli, gjelbërimi, qetësia, shërbimi u pëlqente të gjithëve, sidomos artistëve. Nga Mentor Xhemali, tek Avni Mula, që vinin gjuanin me grep, pastaj i sillnin në hotel dhe ua gatuanim. Nexhmije Pagarusha vinte me makinat e Parkut të Delegacionit, disa Volvo të bukura. Po kështu Ansambli i Këngëve ka ardhur. Këtu kanë kënduar rapsodi Dede Nue Lazri, Drane Gega etj.
Po çifte të dashuruarish, a vinin?
As që mendohej të flinin aty çifte apo të dashuruar, pasi ai kishte tjetër status dhe jo çdokush mund të sistemohej në hotel. Për dreka e darka sigurisht që po. Fëmijët e Mehmet Shehut, Skënderi dhe Bashkimi, ishin frekuentues të rregullt, vinin me miq, të njohur… Po kështu të gjitha ambasadat pa përjashtim, ose ambasadorët që organizonin këtu festat e natës së Vitit të Ri.
A kishte ndonjë orkestër për të argëtuar bujtësit?
Ishte familja Xhemalja nga Lezha. Rakipi, Keti dhe Miri, muzikantë shumë të mirë. Çdo natë, sidomos për raste festash, në periudhë vere ekzekutonin muzikë të kohës, vetëm në sallën qendrore, pastaj nga viti 1975 u bë një pistë dhe aty kërcehej. Ajo periudhë nuk përballohej, na vinin deri në 500 vetë. Ramazani, Beqari, Qemali ishin disa nga këngëtarët që këndonin aty. Familje që vinin edhe në këmbë për mungesë qarkullimi të mjeteve, se vetëm dy apo tri taksi kishte Lezha. Dasma nuk bëheshin shumë. Vetëm njërën e kujtoj, kur u martua Llesh Rroku doktori i zemrës, ku morën pjesë 120 vetë.
Cila është historia e dritares Çiano?
Konti Çiano kishte bërë qëllimisht një dritare në një nga dhomat mbrapa hotelit, që të gjuante rosat prej andej. Edhe qeveritarët pa përjashtim, anëtarët e Byrosë Politike, të gjithë kur vinin i pëlqente ta provonin. Ata shkonin edhe në vilat, njëra në Kune dhe tjetra në Vain, pasi gjuanin, pushonin, flinin dhe kur largoheshin për Tiranë, vinin këtu të pinin një kafe. Velipoja kishte edhe gjuetinë e derrit. Zakonisht, para se të vinin te ne, na njoftonin të merrnim masat dhe të ishim në gatishmëri.
Kam dëgjuar që janë xhiruar edhe filma këtu, për cilët bëhet fjalë?
Kur xhironin filmin “Debatik”, aktorët tre muaj kanë fjetur këtu. Shkonin në Shkrel, Dedaj, Velipojë, pastaj ktheheshin në hotel. Kujtoj edhe filmin “Nëndori i Dytë” apo “Vdekja e Kalit” xhiruar edhe në Divjakë e ndonjë tjetër. Kanë qenë këtu nga Rajmonda Bulku, Timo Flloko, Bujar Lako, Ndrek Luca, Sandër Prosi e të tjerë. Pastaj shkrimtarë, gazetarë, nga Dritëro Agolli, Vath Korreshi, Niko Nikolla, etj., sepse te ne shërbehej shumë mirë.
Po Kadareja e frekuentonte?
Në vitin 1987, në hotel ndodheshin disa studiues të Akademisë së Shkencave. Në njërën nga ato ditë, na njoftuan se do të vijë Kadareja me gruan. Ai erdhi me veturën personale, “Fiat” i bardhë me shofer, të cilën sapo ia kishte dhënë shteti. Zbriti, ndezi një cigare, e nisi shëtitjen përreth lokalit plot gjelbërim. Nikolin Baba, një mik i vjetër yni, punonjës i Akademisë, vrapoi të merrte aparatin, por nuk arriti. Atë mbrëmje Kadareja u sistemua në dhomën e Kontit Çianos, ndërsa Nikolini sa herë që vinte në hotel, vite më vonë, gjithmonë më thoshte: ‘Marie, çfarë rasti kemi humbur atë ditë që nuk i bëra një foto Kadaresë duke shëtitur?’
Po sportistë, a vinin?
Ka qenë dhe është frekuentuar për grumbullimet e skuadrave, kryesisht të ekipit kombëtar të futbollit. Këtu kanë ardhur nga Boriçi, Zhega, Hafizi etj.. I mbanim dhe i trajtonim shumë mirë. Ka qëlluar të qëndrojnë edhe një muaj. Edhe klubi i futbollit të Besëlidhjes vinte aty, kur skuadra kishte ndeshje të rëndësishme.
Në mos gaboj, hoteli juaj ka shërbyer edhe si karantinë në një rast epidemie, është e vërtetë?
Ka qenë problem i madh, kur në botë ishte përhapur sëmundja e kolerës. Të huaj që vinin me shërbime në Shqipëri sa uleshin nga avioni i shkarkonin direkt te hoteli ynë. Ka pasur raste që rrinin edhe një muaj, duke i trajtuar me personelin te koka, një infermier që i bënte injeksione, kuzhinier që u shërbente me ushqimin, pasi nuk futej askush brenda. Bashkë me dr. Apollon Gjebrean, që përkthente se fliste disa gjuhë, kemi qëndruar të izoluar për shumë kohë. Në hotel patën sjellë edhe ambasadorin e Egjiptit. E meqë më pyetët për karantinën, në kohën e kolerës, nga Rinasi sollëm këtu tre arbitra italianë, i mbajtëm të izoluar. Aurelio quhej njëri prej tyre. Pas viteve ’90-të, djali ynë duke qenë në Itali, rastësisht e takoi këtë person: “Kam qenë në Shqipëri gjatë kolerës dhe na dërguan në një hotel ‘La casa di caccia’ quhej. Aty kam qëndruar disa ditë, pa parë asnjeri me sy”, i kishte thënë italiani.
Maria, fama e kafes tënde ka shkuar shumë larg…
Po (qesh). Kur më vinin drejtues të Komiteteve të Partisë, atij Ekzekutiv, dhe ishin të shumtë, i merrja porositë, pra, një kafe me pak apo një kafe me shumë sheqer, siç veprohet në të tilla raste. Dikush më pyeti: Marie, si i mban mend të gjitha porositë? ‘Unë mbaj mend vetëm drejtuesit kryesorë, ndërsa të tjerëve ua sjell njësoj’, iu përgjigja, pasi ishte e pamundur t’i mbaja mend të gjitha preferencat.
A pësoi dëmtime hoteli gjatë rrëmujave të ’97-ës?
Ka qenë një situatë e vështirë. U ngritën familjarët e të afërmit e pronarëve që i dolën në mbrojtje ndërtesës, edhe pse keqbërësit plaçkitën gjithçka, deri te dyqani i valutës, sendeve artistike brenda në hotel. Pati tentativa për ta djegur. Mendoni, nëse do të ndodhte, çfarë tragjedie do të ishte. Një hotel me dërrasën 70-
vjeçare dhe vlerën historike që ka, si do të shkatërrohej, por nuk mundën./Uvil ZAJMI
Marrë nga Panorama