Deputeti demokrat Dashnor Sula e ka konsideruar rrufe në qiell të hapur ftesën e Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, një ditë më parë, për të votuar projektligjin e amnistisë.
Në studion e Ditarit të Fundjavës në A2 CNN, ai tha se si qytetar do ta votonte me të dy duart këtë projektligj, por nuk mund ta përdorë opozitën si fasadë.
“Me të drejtë zoti Manja e bën këtë ftesë, është normale, logjike dhe e drejtë, qeveria mendon se ekzistojnë kushtet e rrethanat për një amnisti që shërben për rënie të numrit të popullimit të burgjeve.
Por vijmë në momentin politik po të ishte unë si Dash, si qytetar me të dyja do ta votoja, por nuk të bëhet një ftesë në këtë moment si rrufe në qiell të pastër.
Nuk mund të zhbëjmë gjithçka dhe ne thjesht të jemi fasadë kur do mazhoranca, kur e kërkon mazhoranca të bashkojmë votat me to dhe kur kërkojmë ne, asnjëherë”, tha Sula.