Ish i burgosuri politik dhe ish-anëtari i Autoritetit të Informimit për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, njëherësh përfaqësuesi i klasës së të Përndjekurve Politikë që cilësohet dhe si Mandela shqiptare për vitet e burgut që ka kryer, poeti i njohur Daut Gumeni ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Gumeni zbardh arsyen pse kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta braktisi protestën e Rithemelimit të Berishës dhe rrëfen të pathënat e 20 shkurtit 1991. Po ashtu, ai tregon edhe mashtrimet e Sali Berishës, teksa zbulon gjithashtu se bustin e Enver Hoxhës e bëri vetë gati për ta rrëzuar diktatura 33 vite më parë.
– Zoti Gumeni, si e komentoni protestën e 20 shkurtit? Mos vallë qëllimi i vërtetë i Sali Berishës dhe “Foltores” ishte që të tregonte se janë ata PD e vërtetë dhe duan te rrëmbejnë vulën, apo e bëri për t’i treguar amerikanëve se ka forcë, pasi i druhet ndonje ekstradimi të mundshëm?
Protestat dhe demonstratat normale zhvillohen nga qytetarët e pakënaqur me qeverisjen dhe jo nga partitë politike. Thënë këtë, nuk kam arritur kurrë ta marr vesh mirë se çfarë dreqin duan partitë tona parapolitike që kanë mbi tri dekada me ato shfaqje të shëmtuara, në të cilat marrin me qira turmat e shkreta anë e mbanë vendit dhe i sjellin në Tiranë për të zgjidhur hallet e tyre të brendshme. Stisja e trashë e atyre lloj protestave, ku trashëgimtarët e Partisë së Punës përpiqen të na tregojnë fuqinë e tyre politike me anën e numrit të protestuesve të marrë me qira për zgjidhjen e halleve partiake, ca më keq kur ato halle janë thjesht vetjake të brigadierëve të përjetshëm të partive tona politike,nuk ka të bëjë fare me hallet e vërteta të qytetarëve të këtij vendi. Sepse një dreq e merr vesh përse ju duhet populli i shkretë partive tona para politike në përpjekjet që bëjnë sa herë që kanë për të zgjidhur lëmshet që pleksin vetë gjatë këtij katit të dytë të komunizmit, të cilin na e quajnë dhe tranzicion pa tranzicion, kur për të na treguar fuqinë e tyre politike, partive tona çyryke do t’u mjaftonte vetëm dita e zgjedhjeve, ashtu sikurse ndodh në të gjithë botën e qytetëruar.
Edhe protesta e 20 shkurtit që shkoi na tregoi sheshit se e ashtuquajtura Parti Demokratike u përpoq me sa mundi me si mundi të na tregonte se si është ndarë tava e saj midis pronarit të saj real i mbetur pa vulë dhe grupeve në të cilat është thërrmuar nën goditjet e pronarit non grata. Vetë britmat e porositura në emër e me emrin e pronarit, britma të rralla të disa fanatikëve, që na kujtonin se vulëhumbur duhet të mbeten ca të tjerë dhe jo i zoti i pronës, nuk se arrinin t’i mbushnin mendjen njeriu normal që pronari i asaj trashëgimie ka ende fuqi edhe pse është shpallu non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar. Vetë përkujtimi i 20 shkurtit si dita e përmbysjes së llamarinave të shtatores së diktatorit, përmbysje që na u shit si fitore ndaj diktaturës kur atë shtatore e bëri gati për ta rrëzuar vetë diktatura, dëshmon se edhe lejimi i 4-5 mijë protestuesve si 120 mijë nuk se ndryshon gjë në raportin e forcave as me kundërshtarët e tyre e jo më me ata që e kanë shpallur të padëshirueshëm e që ia kanë ditur mire fuqinë edhe kur e kishte stanin e vet të gjithë bashkë e jo më tani që e ka përra-përra e reta-reta, të çartosur nga zullumet që kanë bërë në kurriz të popullit të tyre si në pushtet edhe në opozitë.
– Po braktisjen e protestës nga Ilir Meta dhe Kryemadhi si e shihni?
Braktisja e protestës përkujtimore të rrëzimit të llamarinave të shtatores së diktatorit, braktisje e bërë disi befas nga një tjetër ish-kryeministër e ish-president, mbase ka të bëjë më tepër me llogaritë alla Sanço Pança për të mos pësuar edhe ai atë që ka gjetur kalorësin e vrerosur të demokracisë së komunistëve tanë sui generis. Sa për amerikanët, mendoj se duhet të pyesni amerikanët vetë, sepse unë nuk bëj pjesë në ata fatlumturit që amerikanët ua thonë në vesh sekretet e tyre.
– Lulzim Basha ka premtuar se fundmi se do të kërkojë hapjen e dosjeve për zbulimin e agjentëve KGB sovjetike dhe UDB jugosllave? Mendoni se janë akoma këto dosje, pasi ne nje dokument te SHISH thuhet se Bashkim Gazidede mori me vete dhe zhduku nje liste me agjente te UDB? A i kanë amerikanët të gjithe këto të dhëna?
Learn more
Kamerieri kozmetik i katapultuar edhe në krye të PD-së nga vetë pronari i saj i vërtetë, pasi e bëri ferk në krye të ministrive kryesore të qeverisë e pastaj dhe në krye të bashkisë së Tiranës, nuk besoj se çudit më njeri as brenda e as jashtë vendit me ato premtimet e zotimet e tij zulmëmëdha, kur iu shtoi dhe zotimin se do të na zbulojë së shpejti edhe agjentes sekrete të KGB-së e të UDB-së në radhët e të punësuarve tanë në politikën e katit të dytë të komunizmit, kat që na shitet prej tri dekadash të gjata si tranzicion pa tranzicion.
Ato dosje të flamosura, që kanë komanduar komunistët tanë gjysmëbejlurçina qysh nga themelimi i Partisë së tyre me shumë emra, ecë e mere vesh se si do t’ua gjejë anën t’i hapë e t’i bëjë publike ai që bari 15 vjet të tërë prova me kashtë për t’u kthyer në kryetar të PD-së e në kryeministër të ekonomisë shtëpiake dhe arriti vetëm ta katandiste një thelë kokoshin, që këndon ende këngën e fitoreve të ardhshme edhe tani me 5-6 deputetë të mbetur nën komandën e tij.
– Sali Berisha njeri i rrezikshëm që rrezikon të prishë provat, ka shkelur vendimin e gjykatës në mënyrë të përsëritur”, kështu thuhet te vendimi i Apelit të GJKKO. Çfarë është i afte te beje ish-kryeministri për të shpëtuar nga burgu? A duhet qe te merret nje mase me e rende ndaj tij nga drejtësia?
Lidhur me rrezikshmërinë që ka për të prishur provat duke shkelur përditë ligjin përkatës me fjalimet e fandaksura të kastës së vitit 1990, fjalime si gjithnjë ulëritëse me të cilat desh na mbushi mendjen se ashtu përmbysi diktaturën po me urdhër të diktaturës e për t’u bërë vetë diktato, fjalime të çartura që sot i mban nga papafingoja e banesës së vet pronari i Rithemelimit të partisë, të cilës ia shkuli po vetë themelet,mendoj se duhet një vlerësim juridik që u takon ta bëjnë organet e drejtësisë. Mua, si të gjithë qytetarëve normal të këtij vendi, më takon vetëm të shpreh përkrahjen time modeste për drejtësisë e reformuar.
Ta përkrahim të gjithë atë drejtësi aq gjatë të munguar e aq keq të mercenarizuar, ta përkrahim pa shumë rezerva atë drejtësinë aq të dëshiruar nga të gjithë, në mënyrë që pjesëtarët e sa të mos ndihen as të kërcënuar e as të vetmuar në detyrën e tyre të vështirë përballë kërcënimeve të përditshme që u lëshon “i pafajshmi” non grata nga papafingoja e banesës së tij, prej lartësisë së të cilës përpiqet si ujku në kiamet për ta kthyer dhe rrugicën e Zullumqarëve në Sokakun e të Marrëve. Se sa mund t’i prishë provat me atë shfaqje të përnatshme që jep për zullumqarët që e ndjekin, atë do ta vlerësojë vetëm drejtësia ditën e gjykimit. Neve qytetarëve të thjeshtë na takon të shpresojmë e të urojmë që prokurorët gjë gjyqtarët e drejtësisë në reformim të zbatojnë me përpikëri ligjin, pa u ndikuar nga përcëllimat e çdo zullumqari të dëshpëruar të këtyre viteve të rënda të një tranzicioni i ndaluar të mbarojë…
Intervistoi: Rigels Seliman