Bojkoti i punimeve të Kuvendit të Shqipërisë ka qenë një nga politikat më të kritikuara nga ndërkombëtarët të ndjekura nga opozitat politike në Shqipëri dhe sërish ka qenë një politikë e zbatuar shpesh si nga PS, ashtu edhe nga PD. Megjithatë, kërcënimi i udhëheqësit të opozitës Lulzim Basha për “djegie” të mandateve të deputetëve të tij (partia tjetër parlamentare, LSI nuk ka mbajtur ende qëndrim), duket se do të jetë një gjë më e lehtë të thuhet se sa të bëhet.
Bojkoti i parlamentit ka qenë gjithmonë një nismë e kollajtë e opozitave dhe veçanërisht e papëlqyer nga ndërkombëtarët, të cilët, sa herë që ka patur bojkot, aq herë kanë bërë presion mbi opozitat përkatëse për të hequr dorë nga bojkoti, për të respektuar jetën parlamentare dhe për të bërë politikë parlamentare. Alternativa, politika jashtëparlamentare, besohet se nuk prodhon gjë tjetër veçse konflikt.
Ndryshe nga bojkoti, heqja dorë nga mandatet nuk është praktikuar në Shqipëri në të shkuarën dhe se si mund të funksionojë ajo në praktikë mbetet për t’u parë. Në pamje të parë, një dorëheqje në grup nga mandatet e deputetëve është një lloj mase që heq edhe rrezikun e presionit të ndërkombëtarëve. Nëse deputetët heqin dorë nga mandatet, ndërkombëtarët e kanë të vështirë që të kërkojnë të rimarrin mandatet. Por në anën tjetër, për shkak se sistemi zgjedhor aktual i dakordësuar në vitin 2008 mes Sali Berishës dhe Edi Ramës synoi të forcojë kryetarin në dëm të deputetit, mandati i një deputeti të dorëhequr apo të vdekur i transferohet partisë (nënkupto kryetarit) përkatës. Dhe kodi zgjedhor sanksionon që partitë politike përkatëse të garojnë me lista kandidatësh aq të gjata sa janë edhe mandatet në garë.
Për shembull, nëse në Tiranë zgjidhen 34 deputetë, çdo parti garuese duhet të kandidojë jo më pak se 34 kandidatë, pavarësisht se synimi i saj mund të jetë zgjedhja e një kandidati. Në kushte normale, kjo është një tallje me demokracinë. Partitë e vogla e kanë kuptuar këtë përmes vuajtjeve. [Lexo këtu]
Por fakti është që Partia Demokratike në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017, ka kandiduar në Tiranë 50 vetë për 34 mandate deputetësh, nga të cilat ajo fitoi 11 mandate. Kjo bën që, në rast se Lulzim Basha, deputeti i parë i listës së demokratëve në Tiranë, “djeg” mandatin, Gerti Bogdani, kandidati i 12 i kësaj liste, të marrë mandatin e Bashës. Nëse Bogdani refuzon mandatin, në listën e pritjes gjenden edhe 38 kandidatë të tjerë. [Për listën e plotë të kandidatëve të PD në zgjedhjet e fundit, kliko këtu]
Situata është e ngjashme edhe në qarqet e tjera. Në Shkodër, lista e demokratëve ka 18 kandidatë nga të cilët, pesë janë deputetë. në Vlorë janë 13 kandidatë për tre deputetë ndërsa në Elbasan janë 20 kandidatë për 3 deputetë.
Në rast se PD me të vërtetë i djeg mandatet duke u dorëhequr prej tyre, ajo duket se do ta ketë të vështirë të ruajë listat e saj të gjata me kandidatë që të mos pranojnë mandatet e të dorëhequrve. Nga pikëpamja praktike, prania e deputetëve fasadë të opozitës në parlament mund të mos ketë ndonjë rëndësi. Por “djegia” e mandateve, si propozim politike ekstreme dhe përshkallëzuese mund të humbasë peshën, në rast se disa nga demokratët e fundit të listave pranojnë të marrin rrogat dhe komoditetet e deputetit për dy vitet e ardhshme. Në të gjitha rastet, procesi ligjor i “konstatimit të vakancës” dhe plotësimit të saj, pritet të zgjasë me muaj.
Alternativa tjetër duket se është “djegia” e mandateve pa dorëheqje, por kjo thjeshtë sa do të jetë bojkot me një emër të ri. Në këtë rast, demokratët mund të vihen edhe një herë nën trysninë e ndërkombëtarëve për te hequr dorë nga bojkoti dhe për të bërë politikë në parlament, një histori e përsëritur sa e sa herë përgjatë tre dekadave të fundit./Gjergj Erebara