Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, ka ka akuzuar kryedemokratin Lulzim Basha si një mashtrues dhe gënjeshtarë i paftyrë. Ishin ai dhe qeveria e tij që e lanë në gjendje kome shëndetsinë ku vetëm ato që po bëhen në zonat rural, ngritja e dhjetëra qendrave shëndetësore sot, do pasohet nga qindra të tilla nuk mund të ketë krahasim me atë që bëri qeveria e Berishës dhe Lulzimit.
Manastirliu shprehet se Lulzim Basha bën sot bënë premtime false për shëndetësinë,dhe ne nuk mund të harrojmë problematikash që kanë ekzistuar në sektorin shëndetësor, kur Basha dhe demokratët ishin në pushtet.
Statusi i Manastirliut:
Premtim i zbrazët apo mea culpa ishte ky i Kryetarit të PD për shëndetësinë?
Premtim i zbrazët për të ardhur në pushtet përmes artit të gënjeshtrës, që pak kush e njeh si ai, apo mea culpa për trajtimin që qeveritë e njëpasnjëshme ku ai ka qenë pjesë e rëndësishme, u kanë bërë profesionistëve të shëndetit?
Zotohet me shpresën që do u hedhë hi syve punonjësve të sektorit të shëndetësisë, apo bën mea culpa për një kohë kur, denigrimi i mjekëve dhe infermierëve nuk shprehej vetëm me një trajtim financiar qesharak, por edhe me kushte pune të mjera, ku minjtë proverbialë ishin po aq të kudogjendur, sa edhe gënjeshtrat në fjalimet e Kryetarit të PD për shëndetësinë.
Një kohë që ka ikur, për të mos u kthyer kurrë më!
Kur flet për shëndetësinë në gjendje kome, ka parasysh gërmadhat që la pas qeveria e tij, apo 80 qendrat shëndetësore ku qytetarët shqiptarë kanë filluar tashmë të marrin shërbime cilësore dhe me standarte. Të cilat deri në fund të mandatit, do të bëhen 300.
Kur flet për keqmenaxhim të burimeve njerëzore, e ka fjalën për fenomenin e punësimeve me pagesë nën dorë të infermierëve, në kohën e qeverisë ku Kryetari PD-së ishte pjesë, apo e ka fjalën për ndalimin absurd të specializimeve të mjekëve, që krijoi një boshllëk të rrezikshëm në plotësimin e spitaleve rajonale me profesionistë të shëndetit? Se me siguri nuk ka si të jetë duke folur për realitetin sot, ku infermierët punësohen vetëm falë MERITËS, nëpërmjet një procesi transparent, që është vite drite larg atyre që nxjerr nga goja kryetari i PD.
Kur flet për buxhetin më të ulët, kthehet me mendjen e tij në kohën e buxhetit mjeran që qeveria e tij i akordonte sektorit të shëndetësisë? Se me siguri, nuk e ka fjalën për buxhetin që merr Shëndetësia sot, 43.3% më i lartë se në 2013-ën.
Kur flet për barnat, e ka fjalën për 40 milionë USD borxhe vetëm në sektorin e Shëndetësisë, që u trashëguan nga qeveria e tij, ku edhe serumi e barnat bazë, rrallëkund gjendeshin në spitale? Se me siguri, nuk ka si të jetë duke folur për realitetin e sotëm, ku tashmë ne kemi plotësuar Listën esenciale të barnave në çdo spital, kemi rritur 30 milion USD buxhetin e barnave të rimbursueshme, i kemi dhënë një herë e përgjithmonë zgjidhje furnizimit me herceptinë, një bar të cilin sot e merr falas çdo grua, e cila vuan nga kanceri i gjirit.
Kur flet për oligarkët në sistemin farmaceutik, ka në mendje çmimet abuzive, të cilët nuk njohën një herë ulje në kohën e qeverisë ku shërbeu devotshmërisht edhe kryetari i PD, e kur barnat bliheshin më shtrenjtë se sa në vendet e origjinës? Se nuk ka si të jetë duke folur për çmimet e barnave sot, ulja me 30% e të cilave, u ka kursyer shqiptarëve mbi 70 milionë dollarë.
Kur flet për rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët, e ka fjalën për pagat tallëse të një kohe që nuk vjen më? Se me siguri, nuk ka si të jetë duke folur për rritjen 35% që kjo qeveri u ka bërë pagave në 5 vite. Pagesa për mjekët në spitale bashkë me shërbimin roje që kemi dyfishuar është mesatarisht 920 euro në muaj, ndërkohë që përfitojnë 2.5 milion lekë mbi pagën në muaj, kur shërbejnë aty ku ka mungesa për mjekë specialistë, të shkaktuara prej politikës dritëshkurtër të atyre që sistemin shëndetësor e çuan në kolaps.
Kur lexon mundimshëm shifrat që i vënë para për treguesit shëndetësorë, flet për një kohë kur të sëmurët humbnin jetën në urgjenca kardiake, për shkak se u vihej dryni pas orës 16:00, si dhe në fundjavë? Se me siguri që nuk e kanë informuar për më shumë se 3600 jetë të shpëtuara qysh prej fillimit të funksionimit të kësaj urgjence 24/7, as për 28400 qytetarët që kanë përfituar FALAS paketat e kardiologjisë në spitalet publike dhe jo-publike. duke u kursyer qytetarëve më shumë se 60 milion euro.
Kur përmend renditjen ndër vendet e Evropës, ka parasysh përjashtimin që u bënte qeveria e tij qytetarëve të pasiguruar, të cilët duhej të shkundnin xhepat, edhe kur vizitoheshin nga Mjeku i Familjes? Se nuk ka si të jetë duke folur për 600 mijë të PASIGURUARIT, që sot përfitojnë nga skema e rimbursimit çdo shërbim shëndetësor FALAS, duke ndjekur sistemin e referimit.
Kur sulmon verbërisht partineritetet publik-privat, e ka fjalën për pagesën 8100 lekë nga xhepi që çdo qytetar paguante për kontrollin e përvitshëm, apo për veglat e ndryshkura, që e kishin kthyer bashkëjetesën me infeksionet në një normalitet të hapësirave tona spitalore? Sepse me siguri nuk e ka fjalën për analizat mjekësore, që sot shqiptarët i përfitojnë FALAS, pranë çdo qendre shëndetësore, kudo ku jetojnë, as për standartet evropiane me të cilat kryhen sot ndërhyrjet operatore, në çdo sallë operacioni në spitalet tona. Pa përmendur dializantët, që e mbajnë mirë mend kohën kur duhej të udhëtonin 4-5 orë për një seancë dhe sot e marrin shërbimin pranë vendbanimit, me standarde të larta.
Qytetarëve shqiptarë u vlejnë këto fakte dhe qindra të tjera, si një pasqyrë e mirë për t’ia vënë përballë kryetarit të arratisur opozitar, sa herë që zgjohet dhe hap thesin e të pavërtetave për sistemin e shëndetësisë.
Për sa na takon, do të vazhdojmë të punojmë çdo ditë për ta përmirësuar sistemin, të vetëdijshëm se ka ende shumë gjëra që duhet të përmirësojmë, se ka ende premtime që duhet të përmbushim, se ende nuk kemi mbërritur atje ku duam të na shpjerë vizioni që ne kemi për shëndetësinë.
Duke folur me vepra në vend të fjalëve. Të bindur për aftësinë dhe mençurinë që kanë qytetarët shqiptarë, për të bërë dallimin mes kujt flet me punë dhe kujt me gënjeshtra./Ekskluzive.al