Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUV) ka dërguar për analizë domate të importuara nga Shqipëria, pasi dyshohet se përmbajnë hormone të dëmshme.
Zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi ka thënë se janë marrë masa shtesë kontrolli për importin e ushqimeve, duke theksuar në veçanti domatet e importuara nga Shqipëria, të cilat dyshohet se përmbajnë mbetje të pesticideve që janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.
Thaçi tha se agjencia është në pritje të rezultateve të analizava para marrjes së masave zyrtare.
“Si AUV kemi marrë masa shtesë të kontrollit, me theks të veçantë kontrollin e domateve me origjinë nga Shqipëria.
Përveç kontrollit të rregullt dhe analiza rutionre, në këtë rast janë marrë mostra /kampione përfaqësuese të regjioneve të caktuara prodhuese prej nga importohen këto produkte, të njëjtat janë dërguar në laboratorë jashtë vendit me qellim testimi në kontaminuës kimik/mbetje të pesticideve (Përcaktimi i nivelit maksimal të mbetjeve-MRL në produkt).
AUV është në pritje të rezultateve të testeve laboratorike të mostrave zyrtare të dërguara. Pas pranimit të rezultateve të testeve analitike, varësisht nga gjetjet do të merren veprime/masa zyrtare”, u shpreh Lamir Thaçi për Kosova Press.