Politika e politikanëve shqiptarë gjithnjë dhe vazhdimisht bëhet kaq shumë e dëmshme, e pakorrigjueshme, tradhtare, e korruptuar, egoiste, e pamëshirshme dhe e papërgjegjshme dhe mbi të gjitha si gjithmonë ajo, pra politika, mbeti dhe vazhdon të jetë e papërmirësueshme dhe e pandëshkueshme për dëmet që ka bërë.
Nisja e sesionit parlamentar ktheu përplasjen mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, ndërsa në foltore opozita dhe mazhoranca “qanë hallet” në shtëpinë e kundërshtarit.
“A i njihni ju o socialistë, kush është kjo zonjë? Kush është kjo tjetra? I njihni apo jo? Bashkëqytetarë socialistë dhe anëtarë të PS-së, a i njihni kush janë këta? Çfarë janë? Janë kukullat e këtij. Ministre e kujt është, çfarë është, çfarë ka bërë për këtë vend dhe nga vjen?”, tha Basha.
“Pa pikë turpi kthehet e thotë se kush jemi ne. Po ky kush ishte kur erdhi? Nga erdhi ky që ende nuk dihet nëse e ka mbaruar apo jo shkollën? Dihet botërisht se kush ia bën edhe listat e deputetëve, edhe Kryesinë e Partisë Demokratike. E ka bërë PD-në kashtë dhe k*qe dhe vjen këtu e qan hallin e Partisë Socialiste”, tha kryeministri Rama.
Rama replikoi edhe me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, së cilës i referohet me titullin “Doktoresha e shkencave”.
“E vetmja shkencë që ajo njeh është shkenca e filxhanëve për të parë fatin dhe për t’iu thënë shqiptarëve se unë kam edhe pak muaj jetë. Këta nuk vijnë më këtu dhe atje sa të jetë Partia Socialiste e Shqipërisë”, tha Rama.
Demokratët u larguan nga salla me të mbaruar fjalën kryetari i tyre, ndërsa Edi Rama tha se i gjen te protesta e studentëve, arsyet e ligjërimit të ashpër të opozitës. Në mbyllje të seancës, Parlamenti miratoi me 78 vota dekretin presidencial me emrin e Edi Ramës si ministër të Jashtëm.
Dhe pas këtij shfrenimi në sallë, siç hyjnë dalin të krekosur me makinat, kostumet, kollaret e këmishat super të shtrenjta… Të gjithë, sa majtas e djathtas, njësoj zengjin janë, të ngjinjur e sqimatarë vanitozë.