Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar akuzat ndaj kreut të Qeverisë Edi Rama përsa i përket ndërtimit të “Unazës së Madhe”.
Në një deklaratë për median Basha bëri me dije se projekti I “Unazës së Madhe” është një vjedhje e drejtpërdrejtë nga kryeministri Edi Rama.
“Faktet janë të rënda. Ka dy javë që Edi Rama dhe lukunia e tij barbare e hajdutëve me propagandë po i ushqen opinionit publik mashtrime e gënjeshtra me shpresën se do arrijë të triumfojë antiligji dhe ai të kryejë një vepër barbare me prishjen e shtëpive dhe mbushjen e xhepave të tij.
Afera është e Edi Ramës, është negociuar drejtpërdrejt nga Edi Rama. Përbëhet nga dy komponentë, rrëmbimi i taksave dhe rrëmbimi i pronës. Çdo ligj i mundshëm është shkelur.
Le ta nisim me vjedhjen rekord, 2 mijë euro për 1 cm të kësaj rruge. Ky është çmimi me të cilin Edi Rama po vjedh paratë tuaja. Si po e bën këtë? Së pari e gjithë skema e tenderimit është korruptive, nuk ka pasur garë.
Një projekt është adaptuar nga ARRSH e cila gjoja ka hapur tender dhe në fund mbetet e vetmja ofertë. Shkelet çdo ligj dhe ligji i parë që shkelet është ligji i prokurimeve.
Kjo nuk mund të ndodhë vetëm në kokën e drejtorit të ARRSH i cili do japë llogari para ligjit. Kjo ndodh sepse në vjedhje është përfshirë Edi Rama.
Hajduti që ka shkelur ligjin e prokurimeve është Edi Rama. Shumë rekord për Europën dhe ndoshta dhe SHBA-të ku çmimet e autostradave janë nga 5 deri në 8 herë më të ulëta. Ky është një projekt megavjedhje, megahajdutërie me Edi Ramën autori”– tha Basha.