“Po kalojmë kohë mjaft të vështira. Është një përmbysje e madhe kjo që po përjetojmë”, me këtë fjali që çeli takimin e parë të kabinetit të tij pas pushimeve të verës, presidenti francez Emmanuel Macron ditën e djeshme.
Ai i paralajmëroi të pranishmit e të gjithë francezët, të përgatiten për sakrifica të forta në periudhën që do të vijë. “Unë besoj se kjo që po kalojmë është një ndryshim i madh ose një përmbysje e madhe. Po flas për fundin e bollëkut, fundin e një jete të shkujdesur dhe përballë një situate të tillë, na dalin disa detyra. Duhet t`i shohim gjërat me qartësi, pa u përfshirë nga paniku.
Në komentet e tij, shefi i Elysée-së aludoi për një seri “krizash serioze”, duke nisur nga lufta e Ukrainës e deri tek efektet shqetësuese të ndryshimeve klimatike, të tilla si thatësirat që kanë pllakosur disa pjesë të Europës e më gjerë. Ai nuk harroi të përmendte dhe pasojat e pandemisë së COVID-19 në kontekstin e financave publike, mungesës të materialeve të caktuara dhe ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit.
“Liria jonë ka një çmim dhe ndonjëherë kur duhet mbrojtur, mund të nënkuptojë sakrificë”, u shpreh ai. Më tej, i bëri thirrje anëtarëve të qeverisë franceze të veprojnë me seriozitet dhe besueshmëri gjatë përballjes me krizën dhe të mos bien pre e demagogjisë”, tha Macron. Përveç luftës në Ukrainë, Franca është goditur nga thatësira, zjarret dhe stuhitë këtë verë.
Ai tha se qeveria do të nisë gjithashtu planet e shumëpritura për të luftuar ndryshimin e klimës. Macron, i cili fitoi një mandat të dytë presidencial në prill, por më pas humbi shumicën e tij të përgjithshme në parlament, përballet me një sërë sfidash në muajt e ardhshëm, duke përfshirë bindjen e ligjvënësve hezitues për të miratuar buxhetin e 2023.