Presidenti francez Emmanuel Macron tha të enjten në një fjalim drejtuar kombit se agresioni rus kundër Ukrainës përbën “sulmin më serioz ndaj paqes dhe stabilitetit në Evropë për dekada të tëra”.
“Duke zgjedhur luftën, presidenti Putin nuk sulmoi vetëm Ukrainën”, tha ai. “Ai ka vendosur të kryejë sulmin më serioz ndaj paqes, ndaj stabilitetit në Evropë për dekada”.
Në mënyrë të pazakontë, Macron foli para flamurit të Ukrainës, si dhe flamujve të Francës dhe Bashkimit Evropian.
Ai e filloi fjalimin duke përshëndetur guximin dhe vendosmërinë e popullit ukrainas. “Liria e tyre është e jona,” tha ai.
“Këto ngjarje janë një pikë kthese në historinë e Evropës dhe të vendit tonë. Ato do të kenë pasoja të përhershme dhe të mëdha në jetën tonë, në gjeopolitikën e kontinentit tonë.”
“Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë do të jenë në përpjesëtim me agresionin për të cilin ajo është fajtore”, tha Macron, duke shtuar se “ne nuk do të jemi pa pafuqishëm”.
Ai tha se sanksionet evropiane do të synojnë sektorin ushtarak, ekonominë dhe energjinë e Rusisë.
Ai tha se nesër do të flasë para parlamentit francez me informacione të mëtejshme mbi reagimin e Francës.
Macron: Franca solidarizohet me Ukrainën, Rusia të ndalë menjëherë sulmet
Presidenti francez Emmanuel Macron ka dënuar sulmet ruse në Ukrainë.
“Franca dënon fuqishëm vendimin e Rusisë për të shpallur luftë ndaj Ukrainës”, kështu është shprehur Macron ndërsa i bën thirrje Moskës që të ndalojë menjëherë operacionet ushtarake.
“Franca solidarizohet me Ukrainë, është në anën e ukrainasve dhe po punon me partnerët për t’i dhënë fund luftës”, shtoi më tej Macron.