Tashmë zyrtare, Franca ka dërguar në Bashkimin Evropian projektin e saj për të krijuar një platformë të re politike gjithëpërfshirëse evropiane. Propozimi i presidentit, për krijimin e një organizate të re politike me qëllim të bashkimit të vendeve që ndajnë vlerat e BE, por që nuk janë pjesë e bllokut, mund të lërë Ballkanin Perëndimor jashtë BE, të paktën për një kohë shumë të gjatë.
Pra ky projekt prek në mënyrë direkte Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të cilat presin hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Ideja u parashtrua për herë të parë një muaj më parë nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe do të diskutohet në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian, më 23 dhe 24 qershor në Bruksel.
Non-paperi francez thekson se Këshilli Evropian, i cili do të mblidhet brenda një jave në Bruksel, pritet të vendosë për aplikimin e Ukrainës për anëtarësim, por gjithashtu paralajmëron për kohëzgjatjen e procesit dhe propozon që një “komunitet politik evropian” të bëhet.
“Çfarëdo niveli të arrijmë në këtë Këshill Evropian, politika e zgjerimit, për shkak të kërkesës për reforma të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe kohëzgjatjes që domosdoshmërisht pason, nuk ofron sot kuadrin e nevojshëm politik për t’iu përgjigjur nevojave urgjente historike dhe gjeopolitike që dalin nga lufta në Ukrainë dhe për ndërtimin e strukturimit politik të kontinentit tonë evropian”, shkruhet në non-paper.
Ishte kjo kohëzgjatje e procesit që i shërbeu Francës si një argument për një propozim për një “komunitet politik evropian” në të cilin të gjitha vendet do të ishin të gatshme të ndajnë vlerat e përbashkëta demokratike dhe të kontribuojnë në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e përbashkët të Evropës.