Kryeministri Edi Rama ishte dje i pranishëm në një vizitë zyrtare në Egjipt, ku u prit edhe me ceremoni shtetërore, e pavarësisht marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve, vëmendja u përqendrua jo pak në një tjetër detaj gjatë pritjes, mungesa e flamurit shqiptar.
Mjaft komentues shkruan në profilin e Ramës në Facebook, duke e konsideruar një gjë të tillë turp. Po ashtu një reagim të ashpër pati edhe ish-deputeti Myslim Murrizi.
“Rama pritet në Egjipt me ceremoni “ madhështore”, por pa flamurin tonë Kombëtarë. Nuk di kush është ambasador i Shqipërisë në Egjipt, por cilido nga soj i këtyre që mund të jetë , duhet t’i vij turp që nuk ka mundësuar një flamur Kombëtar të Shqipërisë aty. Nuk di si është ndjerë Rama dhe ministrat e ministreshat që e shoqëronin kur banda frymore shtetërore Egjiptiane luante himnin tonë Kombëtarë, dhe para fytyrës së Ramës valëviteshin 4-5 flamuj të ndryshëm Egjiptian.
Në Tiranë kur vjen kryeministri apo presidenti i kujtdo Shteti, nuk ngelet shtyllë e pishë nëpër rrugët ku do kaloj delegacioni pa flamuj kombëtarë të shtetit mik. Nëse ka qenë vizitë zyrtare e Ramës dhe tufës që e shoqëronte, ky është skandal dhe inferioritet Kombëtarë i plehrave që drejtojnë Shqipërinë si pengje dhe skllevër të pisllëkut të tyre.
Nëse është vizitë private për pazar të radhës, për biznes apo për të strehuar paratë e vjedhura, atëherë nuk ka pse na çajnë trapin duke na e shfaqur nëpër media por ta ruajnë në albumin e tyre njëlloj si darkën tek Nusreti e ta shohin me nostalgji kur të shkojnë në të sëmës siç kanë shkuar të gjithë fundërrinat e këtij vendi prej 500 vitesh”, shkroi Murrizi.
E për t’i dhënë fund të gjithë këtij debati, kryeministri Edi Rama iu përgjigj komentuesve në Facebook, duke shkruar: “Nuk vendoset flamuri i shtetit tjetër në ceremonialin ushtarak të mikpritjes, rregull elementar në gjithë botën”.
Kjo përgjigjie ishte për gjithë lymat dhe lyfat që gdhijnë e ngrysen në FB dhe marrin përsipër të komentojnë çdo gjë kur nuk kuptojnë as ato që shkruajnë vetë.