Nga Flogert Muça
Lulzim Basha ka nisur prej kohësh një fushatë sulmi ndaj medias. E ka nisur duke folur për ironi të fatit në të gjitha mediat e pasqyruar poashtu. Këtë sulm e ka vazhduar edhe me kthimin nga pushimet, duke rritur gamën e mediave që sulmon me paranojën se i ka kapur Edi Rama, ndërkohë që pasqyrohet masivisht nga të gjitha.
Është e trishtë të shohësh një kryetar opozite që jep urdhra në parti që të bojkotohen media, në kushtet kur i duhet çdo dritare mediatike për të përçuar mesazhin e tij.
Por, ka një arsye që e ka çuar Lulzim Bashën në këtë vendim. Ka një arsye pse Lulzim Basha ka shpallur armiq gazetarë e media vizive dhe ajo është dështimi i tij në aksionin politik.
Pavarsisht pasqyrimit optimal në portale e televizione, Lulzim Basha nuk ka arritur akoma të bindë shqiptarët se është alternativë qeverisëse. Kjo u pa edhe në protestat e tij që sa vinin e rrudheshin. Kjo u pa edhe në 30 qershor. Kjo shihet edhe Brenda PD-së ku sot besueshmëria ndaj Lulzim Bashës ka rënë në nivele të paimagjinueshme.
Për të gjitha këto arsye, Lulzim Bashës i duhet një fajtor dhe ai ka zgjedhur median.
Atij i duhet një fajtor për tu dhënë militantëve se pse nuk e rrëzoi dot Ramën në 5 muaj protesta.
Lulzim Bashës i duhet një fajtor për tu thënë shqiptarëve se ai në fakt është një lider me vizion, por është media që i pengon ata ta vënë re këtë gjë.
Atij i duhet një fajtor për tu dhënë atyre që ka në seli se në fakt ata janë ekipi perfekt, por media ju prish punë. Bashës i duhet një fajtor për t’i thënë Sali Berishës se në fakt ai e ka situatën nën kontroll, por media e pasqyron ndryshe.
Për të gjitha dështimet e tij, Lulzim Bashës i duhet një fajtor. Edhe për skandalin e Rrugës së Kombit ku 230 milionë euro avulluan nën drejtimin e tij, Bashës i duhet një fajtor, siç i duhet për lobimin rus për interest ë tij.
Një fajtor i duhet edhe për punët e pabëra në Bashkinë e Tiranës kur ishte kryetar i saj, apo për përçarjen e PD-së dje dhe sot e cila nën drejtimin e tij ka rënë në shifrat më të ulëta në historinë e saj.
Për të gjithë hallet e tij, Bashës i duhej një armik, që kishte shkaktuar të gjithë dështimet e tij. E ai ka zgjedhur median si fajtore…