Nga Mero Baze
Nuk është lajm që Lulzim Basha është marrë i pandehur nga Prokuroria në Tiranë, pas hetimeve në SHBA, dhe në Tiranë për pagesën prej 500 mijë dollarësh nga dy biznesmenë rusë, për llogari të Partisë Demokratike në SHBA. Ky skandal ka gati dy vite që është bërë i njohur, dhe lobisti i Bashës në Uashington është po ashtu nën hetim nga drejtësia amerikane.
Lajmi i vërtetë është se Lulzim Basha po përpiqet të mbrohet si shqiptar, përballë drejtësisë amerikane.
Meqë lajmi se Lulzim Basha është marrë i pandehur, ka ardhur në kulmin e një krize të rëndë politike, ku ai është shkaktari kryesor i saj, ai po përpiqet të mbrohet dukë e quajtur procesin një hakmarrje shqiptare dhe amerikane ndaj sjelljes së tij kundër këshillave amerikane, për t’u tërhequr nga bojkoti i zgjedhjeve dhe djegia e mandateve.
Pra, në një farë mënyre, meqë nuk ja doli të shpëtojë dot nga marrja i pandehur si politikan shqiptar, po tenton të shitet si hero shqiptar kundër SHBA.
E vërteta është se hetimi për Lulzim Bashën erdhi nga SHBA dhe nuk u shpik nga Shqipëria. Nga Shqipëria u vonua sa mundi, aq sa po kalonte çdo afat. Prokurorët shqiptarë që strukin kokën para politikanëve, kanë lënë në sirtar për gati një vit urdhër- porositë nga SHBA e Skocia për lidhjet e Lulzim Bashës me kompaninë që ka paguar 500 mijë dollarë për të.
Ndërkohë, vetë Lulzim Basha ka thënë gënjeshtra të frikshme me qetësinë e një njeriu të papërgjegjshëm për faktet, duke shpikur se ato para i kanë paguar 100 shqiptarë në një “faund raising” në New York, dhe ka vazhduar më pas me versione të tjera.
Fakti që ai po merret nën hetim para zgjedhjeve të 30 Qershorit dhe në kulmin e raporteve të acaruara me SHBA, duhet të ishte një arsye që ai të shmangte këtë pozicion që po merr ndaj hetimit, pasi kështu po fyen dyfish SHBA-në.
Fillimisht po fyen origjinën e hetimit, duke e shpallur sajesë amerikane, dhe së dyti po e shpall SHBA një shtet politik, një lloj diktature, ku politika komandon drejtësinë dhe e përdor si kërbaç ndaj kundërshtarëve të saj.
Kjo është edhe më fyese se sa vetë ajo që ka ndodhur me pagesat ruse për Lulzim Bashën.
Aq më tepër që ato pagesa janë bërë për zgjedhjet e vitit 2017, ato zgjedhje që Lulzim Basha thotë se kundështari i tij i ka blerë me lekët e krimit, ndërsa ky ka tentuar t’i blejë me paratë e rusëve.
Ndaj është mirë që Lulzim Basha në këtë proces të mbrohet si administrator i Partisë Demokratike, pasi nuk është në pyetje vetëm fati i tij, por fati i partisë së parë antikomuniste në Shqipëri, e cila pas tridhjetë vjetësh për shkak të një birboje në krye të saj, përfundon nën akuza si e financuar nga rusët.
Mënyra se si Lulzim Basha ka vepruar pa respektuar asnjë rregull në Partinë Demokratike, duke e kthyer arkën e partisë në arkë të Kunatit, fakti që ai përdor thesarin e partisë për interesa tërësisht klienteliste të miratuara ligjërisht nga institucionet e partisë, pa përfillur ligjet që qeverisin një parti dhe pastaj, mbrojtja e tij si hero anti-amerikan për një gjëmë që i ka bërë partisë së tij, janë krime të reja që thellojnë krimin fillestar të Lulzim Bashës.
Krimi fillestar i Lulzim Bashës realisht buron më shumë nga kultura e tij politike si i korruptuar, se sa si anti-amerikan apo pro-rus. Por duke hyrë në spiralen e mos pranimit të së vërtetës, dhe aq më tepër paragjykimit të hetimit ndaj tij, tashmë ai po kthehet në një dordolec, që PD duhet t’i vërë shkelmin qoftë dhe për njollën që po i lë si parti e financuar nga rusët. Ato para në rastin më të mirë janë paratë që u ka vjedhur shqiptarëve të justifkuara si pare ruse dhe në rastin më te keq, thjesht para ruse. Në të dyja rastet PD nuk ja ka borxh Lulzim Bashës, as t’i justifikojë paratë e vjedhura, as t’i justikojë lidhjet e mundshme me rusët.
Ndaj Lulzim Basha nuk shpëton dot duke u paraqitur si viktimë amerikane për shkak të konfliktit të sotëm. E vetmja viktimë në këtë histori është PD, dhe ajo është viktimë e Lulzim Bashës, jo e amerikanëve.