PD-së dhe ekskluzivisht Lulzim Bashës i doli huq djegia e mandateve. Ky qe një harakiri që rrezikon ta nxjerrë përfundimisht nga skena. PD-ja luajti dhe po luan si në bixhoz, gjithçka për gjithçka. Promotor i kësaj lëvizje ka qenë Berisha, i cili është i shquar për lëvizjet e befta dhe të forta.
Menduan se me këtë do delegjetimonin mazhorancën aktuale, më shumë se në planin e brendshëm, në atë ndërkombëtar.
Mesa duket nuk e parashikuan efektin bumerang, suportin amerikan dhe të shteteve kryesore europiane për këtë qeveri dhe mazhorancë. Jo se nuk ka probleme ky vend, të reja dhe të vjetra, por ngutja për t’i radikalizuar gjërat, për të nxjerrë përfitime nga konteksti, në kushtet kur theksi kryesor është Reforma në Drejtësi, i ka lënë pa kauz.
Akuzojnë për gjëra për të cilat kanë çeduar jo pak në qeverisjen e e tyre (kanë qenë shinashtrues), vetëm e vetëm për të tërhequr në protestat e organizuara sa më shumë ithtar apo të zemëruar nga realiteti jo dhe aq i favorshëm ekonomik, flasin në emër të sovranit, marrin rolin e tribunëve të vegjëlisë.
Kulmin kjo qasje e arriti me deklaratën e presidentit të Republikës Ilir Meta, që ishte gati të jepte edhe jetën për mosinstalimin e juntës ushtarake (!) Një seri protestash i kanë dekurajuar mbështetësit e opozitës, të cilët i tremben ndryshimit të axhendës, një marrëveshjeje të fshehtë midis palëve kryesore me ndërmjetësimin e të huajve si ajo e 18 majit, “Post çadër”.
Frikë nga e cila ndihet e frustruar edhe aleati i saj kryesor LSI-ja. Monika Kryemadhi një e dy citon se mandatet e forcës së saj politike ishin mandate gjaku, duke kërkuar indirekt mosprerjen në besë nga lidershipi i PD-së. Garancia më e fortë për të duket të jetë zoti Berisha, kryetari de-fakto, që i mëshon radikalizimit, përmbysjes me dhunë.
Frika nga Vetingu, bëri që opozita të shkeli etapat, të bëj kapërcime të frikshme, duke mos përfillur kohën, zhvillimet gjeopolitike. I dha një bonus më shumë qeverisë dhe mazhorancës aktuale, e cila megjithë vështirësitë dhe problematikat shihet në favor të reformave integruese, duke mos u bërë target i ndikimit rus. Një sërë zyrtarësh të lartë europian, kanë kërkuar të hiqet dorë nga rruga, dhe të jenë më institucional.
I fundit qe Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Metthju Palmer. Epsiodet e dhunës të shfaqura në disa protesta kanë qenë më tepër për të mbajtur të karikuar militantët, për të thyer monotoninë e fjalimeve shtampa, për të krijuar premisën e një nokdauni përfundimtar. Në këtë optikë do parë edhe shpikja e disa takimeve të Lulzim Bashës për të marrë avionin, axhenda takimesh me zyrtarë europianë, në ditët e protestave për t’ia lënë Berishës dhe të tjerëve përgjegjësinë e situatave.
E sigurtë që gjenden në kolaps, të shpërfytyruar pas takimeve me Palmer dhe m’u si astronautët në hapësirë, kërkojnë pikën e hyrjes në sistem, me sa më pak kosto nga pikëpamja elektorale. Por sa më shumë kohë kalon duket se gjithmonë e më e vështirë bëhet ky aksion dhe kreditet e opozitës shkojnë gjetiu.
Lulzim Basha, i cili nuk e ka karizmën dhe protagonizmin e Berishës, tani ndodhet në një pikë të vdekur, në rënie të lirë, si puna e atij që dha një lek dhe hyri në valle, tani edhe po të premtojë dhjetë nuk del dot. /Nga Luan KURTI