Luljeta Minxhozi është zgjedhur në funksionin e zëvendës guvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë. Emërimi i saj është bërë nga këshilli Mbikëqyrës, pas propozimit të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, bëri të ditur Banka në një njoftim për shtyp.
Emërimi i znj. Minzhozi erdhi pasi më parë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi 6 anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke i dhënë fund ngërçit dy mujor të mosfunksionimit të këtij Këshillit për shkak të mungesës së kuorumit.
Gjashtë anëtarët e rinj të përzgjedhur janë Ridvan Bode, Artan Hoxha, Suela Popa, Luljeta Minxhozi, Edlira Luçi, Arben Malaj, të clët zëvendësuan 6 anëtarët që u kishte mbaruar mandati: Dhori Kule, Ela Golemi, Elisabeta Gjoni, Petraq Milo, Arben Malaj, Denada Prifti.
Tre anëtarët e tjerë janë Gent Sejko, që është aktualisht dhe guvernator i Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, që është zv/guvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë dhe z.Tonin Kola.
Minxhozi zëvendëson në këtë mënyrë, Elisabeta Gjonin, e cila ishte Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë që prej muajit janar 2012.
Luljeta Minzhozi, sipas jetëshkrimit të publikuar në Universitetin Europian të TIranës, ku është zv/rektore, është diplomuar në vitin 1983 në degën Ekonomi Politike në Universitetin e Tiranës.
Në 1990 fiton Gradën Shkencore Kandidat i Shkencave në Universitetin e Tiranës me temë: “Marrëdhëniet Ekonomike SHBA – Europë pas Luftës së Dytë Botërore.
Më pas, në vitin 1993 fiton Gradën Shkencore “Dottoressa di Richerca” PHD, në Katolik të Milanos me temë “ Integrimi Ekonomik Ndërkomëtar. Mundësi dhe pengesa. Rasti i Shqipërisë”.
Jo vetëm kaq por Gradën Shkencore Doktor e fiton në vitin 1996 nga Universiteti i Tiranës dhe Ministria e Arsimit. Ndërsa në 1999 fiton titullin Shkencor “ Profesor i Asociuar” nga MASH dhe që prej vitit 2011 mban titullin shkencor “Profesor”.