Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar edhe dje me sulmet dhe akuza në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha, presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama.
Zoti Basha ka shfrytëzuar një takim me demokratët e njësisë numër 4 në Tiranë, ndërsa sfidoi hapur Berishën, Metën dhe Ramën, duke i thënë të pranojnë vetingun e politikanëve.
Një ftesë të përsëritur, por më fort se kurrë, u adresoi ditën e djeshme kryedemokrati Basha tre kundërshtarëve të tij politikë, teksa iu kërkoi që të shkojnë bashkë me të në SPAK, për t’u hetuar.
“E kanë bërë malin e akuzave kundër meje më të lartë se mali i Dajtit. Unë u them merri akuzat ndaj meje dhe çojini në SPAK.
Ejani me mua në SPAK, të gjithë. Atje të bëhet vetingu i politikanëve, të bëhet vetingu i pasurisë së familjeve të çdokujt. Thonë jo se duan të bëjnë shpifje. Të tre i bashkon frika ndaj të vërtetës.
Duan të fshehin qeverisjen më të korruptuar dhe më të dështuar që ka pasur ky vend dhe kjo propagandë mundohet të fshehë faktin se Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bërë bashkë për të shkatërruar PD”, deklaroi ai.
Ndërkohë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi Sali Berishën dhe Ilir Metën se po bashkëpunojnë me kryeministrin Edi Rama për të shkatërruar PD-në.
Duke komentuar koalicionin e Berishës me Lëvizjen Socialiste për Integrim për zgjedhjet e pjesshme vendore, Basha theksoi se Meta do të marrë vota me dorën e Berishës, që t’ia çojë Ramës. “Kur dolën listat e patronazhistëve u kuptua që çdo shtyllë ka rënë.
Mund të rrimë të heshtur duke mos u futur në betejë. Mund ta lëmë Ilir Metën që me dorën e Sali Berishës të marri prapë vota demokratësh dhe t’i çojë prapë te Edi Rama.
O me demokratët dhe për demokratët, ose me Ilir Metën për Ramën. Shikoni si bëhen bashkë ku i cenohen interesat. Në vitin 2018 Berisha dhe Meta firmosën dhe sot janë kundër vetingut”, nënvizoi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.