Kryetari i Republikës së re, Lulzim Basha duket se kësaj radhe “ka përveshur mënget” mirë, për të siguruar fitoren e radhës, përballë kreut të Rilindjes, Edi Rama.
Vetë Lulzim Basha është shprehur se “Kemi pasur një përballje në 2011, e kam mundur dhe prap do ta mund”.
Por, nuk është kjo e vetmja “fitore” që Lulzim Basha ka me Edi Ramën.
Në zgjedhjet e vitit 2005, atëherë kur po promovohej si risi në politikë, ai “fitoi” ndaj Arben Ahmetajt në Tiranë, në njësinë nr.7, e njohur si e majtë në trend votash.
Në zgjedhjet e vitit 2009 “fitoi” me sistemin e ri pa përballje direkte, në listën e Elbasanit.
Dhe do vinte përballja me Edi Ramën në vitin 2011 për zgjedhje lokale, duke qenë kandidat për Tiranën.
Janë këto zgjedhje që kanë hyrë në historinë e politikës shqiptare si të zhvatura ashiqare, ku pas një fitoreje të ngushtë të Ramës me 10 vota, KQZ-ja e drejtuar nga Arben Ristani që pak më vonë do bëhej nr. 2 i PD-së (ç’zhvillim fantastik!), shpalli rinumërimin e një pjesë kutish, ku siç pritej, fitues rezultoi Basha.
Më tej, e “mundi” Edi Ramën sërish në vitin 2013, kur Lulzim Basha drejtonte fushatën në Tiranë, dhe PD siguroi rezultatin më të dobët historik që nga viti 91.
E “mundi” edhe në 2015, kur mori vetëm 14 bashki.
Dhe kulmi i “fitoreve” ishte në 2017, kur mori gjysmen e qeverisë dhe 15 mandate me pak se në vitin 2013.
Pasi futi demokratët në çadër, i gënjeu ata dhe bëri marrëveshje me kryeministrin Edi Rama dhe pas çadrës hyri në zgjedhje, Lulzim Basha siguroi një super “fitore”, me 230 mijë më pak se në 2013-ën.
E mundi edhe në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, duke mos hyre fare në zgjedhje.
Këto fitoret e Lulit të lëne pa fjalë./ CNA.al
Video Player