Lulzim Basha ka takuar Gjetan Gjetanin, deputetin e përjashtuar nga radhët e Partisë Socialiste, nga kryeministri Edi Rama.
Basha i ka kërkuar Gjetan Gjetanit, që ky i fundit të kalojë në radhët e PD-së.
Takimi midis të dyve është zhvilluar në afërsi të Laçit teksa Basha kthehej nga Burreli.
Kontradikta në këtë histori është se PD-ja e udhëhequr nga Basha në datën 4 tetor të vitit të kaluar depozitoi në Prokurori kërkesën për kontrollin e të dhënave të dekriminalizimit për deputetin Aqif Rakipi dhe për deputetin Gjetan Gjetani, lidhur me dyshime për fshehjen e të dhënave për aktivitet kriminal, që sipas ligjit për dekriminalizimin duhej ti pengonte për të marrë poste publike apo për tu zgjedhur.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi sot në prokurori kërkesën për kontrollin e të dhënave të dekriminalizimit për deputetin Aqif Rakipi dhe për deputetin Gjetan Gjetani, lidhur me dyshime për fshehjen e të dhënave për aktivitet kriminal, që sipas ligjit për dekriminalizimin duhej ti pengonte për të marrë poste publike apo për tu zgjedhur.
Denoncime nga publiku dhe partnerët pranë Partisë Demokratike përbëjnë indicie për të verifikuar nëse të dy këta deputetë kanë fshehur rekorde kriminale në të kaluarën e tyre në lidhje me aktivitete të paligjshme të kryera në Itali.
Partia Demokratike është e vendosur në betejën e saj për të luftuar krimin, dhe për të nxjerrë krimin nga parlamenti dhe institucionet e shtetit. Në të kundërt, lidhur me këto dy raste por edhe të tjera që po trajtohen nga Partia Demokratike, Edi Rama dëshmon se vazhdon të mbrojë dhe promovojë krimin, se nuk ka vullnet ta zbatojë ligjin e dekriminalizimit, dhe nuk ka vullnet të shkëputet nga krimi dhe aleanca politike me krimin. Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të veprojë menjëherë e të garantojë zbatimin e dekriminalizimit. Bashkëngjitur, kërkesat e dërguara sot në Prokurori”, – shkruante në atë kohë PD-ja.
Kurse ish-kryeministri, Sali Berisha e ka denoncuar Gjetan Gjetanin që në datën 9 qershor, 16 ditë para zgjedhjeve parlamentare.
Po në këtë datë Berisha publikoi denoncimin e një qytetari në rrjetet sociale.
Në mesazhin e tij qytetari digjital shkruante se Gjetan Gjetani ka marrë 5 milionë lekë për një certifikatë dhe për këtë shkak i kanë anuluar një takim në fshatin Mali i Bardhë.
Postimi i plotë
Narko-kandidati nuk pranohet në fshatin Mali i Bardhë!
Ai ndëshkohet për korrupsionin e tij!
Qytetari dixhital denoncon:
Narko-Kandidatin e Lezhës, Gjetan Gjetani, një fshatar, të cilit i kishte marrë 5 milionë lekë për t’i dhënë certifikatën e verdhë, i zënë rrugën tek shkonte në takim elektoral në fshatin Mali i Bardhë. Takimi u anulua!
Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital! sb
“Z.Berisha para 3 ditësh kandidati i PS Gjetan Gjetani në qarkun Lezhë kishte takim në fshatin Mal-Bardhë të Kurbinit, por dikush nga fshati ju zuri rrugën dhe nuk i lejoi të hynin në fshat; ai i kërkoi kandidatit 5 milionë lekët që i kishte marrë për t’i dhënë certifikatën e verdhë. Pas shumë debatesh takimi u anulua. Respekte z.Berisha”.
Kujtojmë këtu se Gjetan Gjetani u përjashtua nga radhët e PS-së nga kryeministri Rama në muajin shtator gjatë Asamblesë së kësaj partie.
“Një deputet që nuk ka bërë punë tjetër veçse ka shantazhuar dhe kërkon ekskluzivitet të vërë shefa policie në Kurbin, bën deklaratë pocaqi kundër policisë në Kurbin ai nuk mund të jetë deputet i PS-së. Në djall vaftë pushteti ynë nëse duhet të durojmë të tilla sjellje vetëm për numra”, – tha Rama dhe më pas e përjashtoi Gjetanin.
Ndërsa Gjetan Gjetani pas këtij përjashtim u shpreh se vendimi ishte i padrejtë, pasi ai kishte qenë me PS në ditët më të vështira.(CNA.al)