Eshtë instaluar në Shqipëri Njësia e forcave speciale amerikane për Ballkanin. Sot kjo njësi ka nisur zyrtarisht detyrën dhe do të shërbejë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë Ballkanin.
Ceremonia zyrtare u zhvillua në Ministrinë e Mbrojtjes, ku e pranishme ishte edhe Ambasadorja Yuri Kim, e cila tha se për here të pare në histori, Shqipëria do të jetë baza e një pranie të përhershme ushtarake amerikane.
Për ambasadoren Kim, prania e kësaj baze amerikane, tregon se lidhjet mes Shqipërisë dhe SHBA janë më të forta se kurrë. Teksa përmendi pushtimin ‘e pajustifikuar’ rus të Ukrainës, ajo shtoi se Perëndimi duhet të vazhdojë t’i përgjigjet të gjithë kërcënimeve me forcë dhe vendosmëri.
“Vitin e kaluar mikrpitët Defender 21 duke dëshmuar se marrëdhënia jonë e sigurisë ishte gati për nivelin tjetër. Dhe ja ku jemi. Me vënien në funksion të Task Forcës për Ballkanin për here të pare në histori, Shqipëria, ndoshta për habit të të gjithëve, do të jetë baza e një pranie të përhershme ushtarake amerikane.
Nuk mendoj që ndokush do ta kishte paraparë këtë 100 vite më pare apo kur ra komunizmi para 30 vitesh. Kjo prani është këtu për disa arsye, së pari jam e kënaqur që jemi këtu, në nivelet më të larta të qeverisë amerikane ka një respekt dhe vlerësim në rritje për Shqipërinë si një partner sigurie, që prej anëtarësimit të saj në NATO në 2009 Shqipëria nuk ka hezituar kurrë të dislokohet përkrah forcave amerikane dhe ne nuk mund të kërkonim për një mik dhe aleat më të forte e besnik.
Lidhjet tona dypalëshe janë më të rëndësishme se kurrë teksa aleatët bashkohen dhe ndërmarrin veprime dhe përgjigje të sulmit të paramenduar dhe të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia. Jemi vetëm 1 javë larg nga 2 marsi që siç e dine shqiptarët është përvjetori i Besëlidhjes së Lezhës në 1444. Skënderbeu kuptoi fuqinë e unitetit kur tha që bashkimi bën fuqinë. Ne duhet të vazhdojmë t’i përgjigjemi të gjithë kërcënimeve me forcë, besueshmëri dhe shpejtësi”, tha Ambasadorja.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se vendi do ta shfrytëzojë këtë mundësi për të rritur standardet e Forcave tona Operacionale. Po ashtu ai theksoi se këto forca do luftojnë së bashku nëse do të jetë nevoja, duke përmendur si shembull Afganistanin.
“Vlerësojmë dhe mbështesim vendosjen e këtij shtabi në rajonin tonë. Do të krijojë qëndrueshmëri në rajon. Do e shfrytëzojmë këtë mundësi për të rritur standardet e Forcave tona Operacionale. Do jemi në gjendje të luftojmë së bashku nëse do të jetë nevoja siç kemi bërë në Afganistan e më gjerë”, tha Ministri.
Ndërsa ushtaraku amerikan u shpreh për median se “Ne do të kemi 12-15 ushtarak të forcave speciale, ato do të operojnë nga Tirana, po sikur e përmenda përgjegjësia e tyre do të jetë për të gjithë raonin, jemi të gatshëm për të punuar me forcat shqiptare.
Do të jenë specialistë të çështjeve ushtarake, civile dhe operacionale që do të punojnë në operacionin ushtarak. Ishte një zgjidhje shume e vështirë Shqipëria, kemi diskutuar me të gjitha vendet e rajonit, por territori i Shqipërisë e bëri tërheqëse, pasi dhe mikpritjen e keni të ngrohtë”.