Fatos Lubonja ka bërë një shkrim ku thotë se kryeministri Edi Rama është më i keq dhe më i rrezikshëm se paraardhësi i tij në detyrë Sali Berisha.
Përmes një shkrimi në Panorama, anal-isti shkruan se “Rama i sotëm është edhe më i rëndë se rreziku Berisha i para tetë vjetëve, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë edhe lindjen e forcave të reja të pastrimit”
Ndër të tjera Lubonja shkrehet se:
“Shqipëria ndodhet në një pikë më të ulët se në 2013 të një spiraleje, e cila ka kohë që zbret drejt një fundi të rrezikshëm për shkak të thellimit të sistemin oligarkik – kriminal që kemi ngritur, duke i ngushtuar gjithnjë e më shumë liritë politike dhe ekonomike e për pasojë edhe hapësirat për lindjen e lëvizjeve të reja antisistem.
Sipas meje, mandati i parë Rama – Meta shërbeu për ta frenuar sadokudo këtë zbritje, që do të kishte qenë edhe më e shpejtë me një Berisha 3, madje krijoi edhe mundësinë e lindjes së lëvizjeve të reja, por me Rama 2 të vetëm në timon ajo është përshpejtuar frikshëm. Rrotacioni duhet për të frenuar përplasjen me fundin e pusit të kësaj spiraleje.
Më parë duhet frenimi që të mund të merret edhe një kthesë e mundshme. Pa metafora, me këtë kam parasysh se një mandat i tretë i Ramës do ta kriminalizojë edhe më shumë bandën e tij dhe sa më shumë të kriminalizohet aq më shumë, për të evituar rënien nga pushteti, do të thellojë politikat e krimit që ndjell krimin, duke ngushtuar hapësirat e lirisë dhe duke fryrë flluskën e ekonomisë kriminale që e mban në pushtet.
Poeti gjerman Hölderelin thotë se “Atje ku rritet rreziku, rritet edhe ajo që na shpëton”. Nuk di se sa vlen kjo për shqiptarët, që historikisht e kanë kërkuar shpëtimin individualisht dhe nga të huajt, por di të them se lejimi i rritjes së mëtejshme të rrezikut Rama mund të na sjellë një shpëtim të padëshiruar nga të gjithë, atë nëpërmjet shkatërrimit”, shkruan Lubonja.