Teksa na ndajnë thuajse dy muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, drejtuesit politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj ka intensifikuar takimet elektorale me strukturat socialiste dhe qytetarët.
Kështu, dje kryebashkiaku i Tiranës u ndal në Njësinë 4, ku u takua me familje të ardhura ndër vite në këtë zonë, kryesisht nga Skrapari. Veliaj u shpreh se është e turpshme se si ende sot abuzohet me prejardhjen e qytetarëve të Tiranës, duke e kthyer këtë edhe në një argument për të kërkuar votën, ndërsa shpërtheu edhe në akuza të forta në adresë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila sipas tij, hiqet si parti e majtë, por në fund votat i çon në prehrin e Saliut.
“Nëse partia jote nuk punon, nëse partia jote ikën nga Parlamenti, nëse partia jote, siç ka bërë LSI, ikën nga bashkia, nga këshillat bashkiakë, nëse partia jote merr vota të majta dhe ia çon Saliut në prehër – pra kandidojnë si të majtë e më pas shkojnë e bëjnë duvanë e Saliut -pse? Kjo është një parti që hiqet si e majtë dhe shkon e bën lojën e Saliut, shkon e çon vota në prehrin e Saliut dhe gënjen qytetarët me një logo të shpërfytyruar të së majtës për të sjellë Saliun në pushtet”, u shpreh ai.
Më tej kryebashkiaku theksoi se edhe vetë qytetarët e kanë kuptuar fyerjen që po u bëhet dhe e kanë braktisur masivisht LSI, që sot promovon gjyqtarët e prokurorët më të korruptuar. “Kur dikush mban peng një komunitet të tërë dhe thotë se Skrapari është i kësaj partie, është fyerje e madhe sepse i trajton njerëzit si pronë. LSI-ja është një sh.p.k. familjare që nuk po promovon patriotët, por promovon më të korruptuarit, ka marrë listën e atyre që hoqi vetingu, Gjin Gjonin e Tit Fushën dhe përfaqësohet nga këta njerëz.
Le të jesh nga Skrapari, ti nuk mund të na thuash që llumi shkon lart dhe ajka shkon poshtë, ndaj në momentin që dikush thotë jam nga Skrapari, më votoni dhe vjen me listën e llumit, unë them se duhet të marrë një refuzim nga të gjithë qytetarët. Unë them se sot duhet të bëjmë një koalicion përtej krahinës, skraparllinj, shkodranë, tepelenas, gjirokastritë, tropojanë, kuksianë, të gjithë bashkë dhe të themi: Ne duam që gjërat të ecin përpara”, nënvizoi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.